Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit u ka “tërhequr veshin” deputetëve të cilët hyjnë online në mbledhjet e komisioneve nga makina. Ai ka kërkuar që këto mbledhje të trajtohen me seriozitet dhe respekt nga ana e ligjvënësve.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve më datë 13 tetor, kryeparlamentari kërkoi që deputetët në momentin që marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve të jenë në zyra, apo shtëpitë e tyre dhe jo duke i dhënë makinës apo në ambiente të tjera të papërshtatshme.
Ky apel i kryeparlamentarit vjen në një kohë, kur gjatë kohëve të fundit nuk kanë qenë të pakta rastet, kur deputetët shfaqeshin në ambiente aspak komode për të bërë shqyrtimin e ligjeve. Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur deputetët futeshin në mbledhjet “online” të Komisioneve Parlamentare nga makinat e tyre, lokale, apo edhe duke bërë plazh, gjatë muajve të verës.
Madje pa pasur disa raste që deputetët e fillonin mbledhjen në zyrë, më pas gjatë diskutimeve, në një kohë që mbledhja “online” vazhdonte, deputetët dilnin nga zyra dhe vazhdonin të jepnin sugjerime, apo amendieme për ligjet dhe kodet që ishin në rendin e ditës. Kjo situatë aspak normale dhe që në disa raste ka lënë për të dëshiruar sa i takon jetës parlamentare, është pasqyruar edhe në një raport të Institutit të Studimeve Politike, i cili e evidentoi këtë problematikë shqetësuese për cilësinë e jetës parlamentare në vend, por edhe të vetë ligjeve që diskutohen dhe miratohen në këto kushte.
Mbledhjet “online” të Komisioneve Parlamentare, filluan në javët e para të muajt prill, fill pasi në vend filloi regjimi i karantinës dhe nuk lejohej dalja nga shtëpia dhe si një tentativë për të shmangur grumbullimet në hapësira të vogla. Ndërkohë, në javët e fundit nga Kuvendi janë vënë në dispozicion 3 ambiente ku mund të zhvillohen mbledhjet e Komisioneve Parlamentare me prezencë fizike të deputetëve, duke garantuar protokollet e pandemisë.









































