Google search engine
Home Aktualitet Festivali “Gjiro- AniFest 2020″ vjen me panoramën e filmit të animuar

Festivali “Gjiro- AniFest 2020″ vjen me panoramën e filmit të animuar

0
403

“Gjiro- AniFest 2020″, me panoramën e filmit të animuar po zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës. Filma shqiptarë të animuar të regjisorëve të njohur, por dhe prodhime të filmave të huaj janë pjesë e programit të këtij festivali, që po zhvillohet në Gjirokastër. Jo vetëm prodhime të viteve të fundit, por pjesë e “Gjiro-Anifest 2020” janë dhe prodhime filmash të prodhuar në Kinostudio, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur ndër vite. Drejtori i festivalit regjisori Artan Maku thotë se është një program me rreth 60 filma, që po shfaqen në Gjirokastër. “Filmat e animuar janë sigurisht ndër vite të fundit të prodhuar dhe në të njëjtën kohë paralelisht janë përzgjedhur dhe filma të animuar shqiptarë, që janë të Kinostudios. Janë filma që i takojnë periudhës para viteve ‘90. Përmend këtu filmin “Zana dhe Mira”, “Festa e pranverës”, “Kallza e grurit”, etj. Janë filma nga Vlash Dobroniku, Bujar Kapexhiu, ToninVuksanin, Stefan Taçi, etj, pra janë kryesisht filma të krijuesve të parë të animacionit në vendin tonë. Ne për në Gjirokastër kemi zgjedhur rreth 60 filma në “Gjiro-AniFest 2020”. Filma shqiptarë janë 18 prodhime dhe pjesa tjetër janë të huaja. Filmat shfaqen në këndin e lojërave në Gjirokastër në lagjen “18 shtator”, një mjedis që përshtatet dhe për kohën që po kalojmë. Tre net festivali, në datat 17, 18 dhe 19 tetor shfaq filmat nga ora 10:00 deri në orën 20:00 të mbrëmjes”, thotë drejtori Artan Maku. Prej vitesh me projektin e animacionit për fëmijë dhe të rinj, ku në Shkodër festivali u zhvillua si “Anifest Rozafa”, drejtori Artan Maku gjithmonë ka theksuar dhe rëndësinë e zhvillimit të audiencës me filmin. Në një reagim të tij, ai thotë se dhe në Gjirokastër ka në vëmendje zhvillimin e kësaj audience filmi. ““AniFest 2020” në Gjirokastër është kryesisht si tip panorame e filmit të animuar shqiptar. Sivjet kryesisht është në politikat e zhvillimit të audiencës për filmin. Për filmin e animuar dhe zhvillimin e tij në vendin tonë duhet bërë më shumë. Ne kemi të ftuar dhe kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ku do të pasqyrohen politikat e filmit të animuar në lidhje dhe me festivalin në vazhdim, që do të bëhet në Gjirokastër”, thotë drejtori Artan Maku, për festivalin këtë vit një projekt i mirëpritur edhe nga Bashkia e Gjirokastrës.

Kinemaja dhe audienca

Prej vitesh në Gjirokastër mungon kinemaja dhe Artan Maku drejtor i “Gjiro-AniFest 2020” thotë se në dijeninë e tij po mendohet dhe për një kinema, që do ti shërbejë publikut. “Këtë vit edhe kërkesa e Bashkisë Gjirokastër ishte të rrisim dhe zhvillojmë audiencën e filmit. Kjo ishte për herë të parë, për arsye sepse kinemaja e Gjirokastrës që në vitin 1985 është prishur për rrethana që dihen, sepse u përdor për monumentin e Enver Hoxhës. Në Gjirokastër janë pa kinema dhe po bëjnë përpjekje për zhvillimin e kinemasë, me programin e Zhvillimit Europian. Është aprovuar fondi, por në të njëjtën kohë paralelisht duan të zhvillojnë dhe audiencë. Fëmijët nuk e njohin fare filmin në Gjirokastër”, thotë Artan Maku drejtor i festivalit, që këtë mbrëmje është në natën e fundit të tij. Festivali këtë vit ka financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe sipas drejtori Artan Maku ky është edicioni i pestë, pas katër më parë që janë zhvilluar deri në vitin 2017. Ndërsa themeluesit e filmit vizatimor shqiptar u bënë Vlash Droboniku e Bujar Kapexhiu, mbas tyre vijuan një plejadë e tërë piktorësh dhe regjisorësh të suksesshëm si Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, Artur Muharremi, Esperanca Konomi, Majlinda Agolli, Artur Dauti, Robert Qafëzezi, Artan Maku, Sokol Xhahysa, Gjin Varfi, Stefan Taçi, etj si dhe një ansambël i tërë piktorësh ekzekutues dhe multiplikatorësh si Natasha Vodica, Diana Hoxha, Beti Kumi, Suzana Thaçi, Alma Bengu, Ana Arapi, Suzana Varvarica, Elefteri Milla, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here