Furtuna e vetingut/Alarmohen gjyqtarët, ngrijnë proceset gjyqësore dhe braktisin dosjet, shmangin regjistrimet audio të seancave

    0
    276

    Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbuluar shumë problematika në sistemin tonë gjyqësor. Në një nga mbledhjet e fundit të KLGJ është diskutuar një raport mbi informacionin e kryetarëve të gjykatave në lidhje me veprimtarinë gjyqësore, për periudhën Janar – Qershor 2020. Në këtë raport janë gjetur shumë problematika, që nga ngarkesat në gjyqësor, e deri te vonesat me çështjet, vendimet, etj. Ajo që bie në sy është se ka një numër të madh gjykatash që zvarrisin çështjet pa afat. Edhe pse nuk thuhet në raport, duket se procesi i vetingut ka demoralizuar gjyqtarët, pasi shumica punojnë sot për nesër. Një pjesë e madhe e dinë që do të shkarkohen dhe duket sikur ja kanë varur punës. Sipas raportit, lidhur me çështjet e zvarritura tej afateve të arsyeshme të përcaktuara në nenin 399/2 të K.Pr.Civile, gjykatat që kanë një numër të madh të tyre, janë: Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhoma civile, me 851 çështje; Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me 10 150 çështje dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës 386 çështje. Sigurisht në listë është dhe Gjykata e Lartë, pro problematika e saj dihet. Nga ana tjetër në raport thuhet se ka një rast shumë të madh kur gjyqtarët heqin dorë nga çështjet. “Lidhur me numrin e kërkesave për heqje dorë të miratuara nga kryetarët e gjykatave për çdo gjyqtar si dhe të vendimeve për përjashtim gjyqtari të pranuara me kërkesë të palëve për shkak të konfliktit të interesit, në lidhje me këto konstatohet se ka një numër relativisht të madh të kërkesave për heqje dorë nga ana e gjyqtarëve. Shkaku i këtyre dorëheqjeve apo përjashtimeve, nuk evidentohet në fakt në pjesën më të madhe të raportimeve edhe pse sipas formularit të miratuar është kërkuar që të jepet shkaku që lidhet me to”, thuhet më tej.

    Heqjet dorë

    Sipas raportit, vihet re një numër shumë i madh i kërkesave për heqje dorë të pranuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier me 95 kërkesa; Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan 220 kërkesa; Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë me 127; Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë me 52 kërkesa; Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin me 59 kërkesa, Gjykatën e Apelit Tiranë me 128 kërkesa; Gjykatën e Apelit Vlorë me 180 kërkesa; Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, me 99 kërkesa. Aty theksohet e arsyeja kryesore e kësaj problematike është sistemi ICMIS i ndarjes së çështjeve, por ka dhe rase të shumta që s’lidhen me sistemin.

    Zvarritja e vendimeve dhe regjistrimet

    Tjetër fenomen i hasur është se ka zvarritje të shumta me zbardhjen e vendimeve në 15 gjykata të vendit. Një tjetër problematikë është se seancat gjyqësore nuk regjistrohen. Një ndër elementet kryesorë të transparencës në drejtësi ishte futja e sistemit të regjistrimit të seancave gjyqësore. Madje edhe në veting KPK ka të drejtë të kërkojë audion për një seancë të caktuar. Si duket gjyqtarët e kanë nuhatur dhe shmangin regjistrime duke nxjerrë si pretekste mungesën e sallave të lira. “Në raportim nuk jepen shumë shpjegime për arsyet e mospërdorimit, por nga ajo që kuptohet, shkaku kryesor i përqindjes së ulët të seancave të cilat regjistrohen nëpërmjet audios, është mungesa e sallave ku të mund të zhvillohen gjykimet. Në lidhje me këtë situatë, ajo që sugjerohet është studimi i situatës në të gjitha gjykatat dhe mundësia për të ndërhyrë me investime në gjykatat ku numri i sallave përkundrejt numrit të gjyqtarëve është shumë i vogël. Nga informacioni i përcjellë, konstatohet që gjykata me përqindjen më të ulët të përdorimit të sistemit të regjistrimit audio, mbetet Gjykata Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 20.08 %”, thuhet më tej.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here