Genci Fuga: Institucionet janë në këtë derexhe sepse nuk kanë autonomi, Ministria e Kulturës s’ka strategji kombëtare për artin

0
253

Arti dhe kultura nuk kanë qenë sa duhet në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës, ku duket se problemet e ndryshme ligjore që janë sot me institucionet e artit kanë ndikuar edhe në aktivitetin artistik. Përballë kësaj gjendje herë pas here artistë të ndryshëm dhe pedagogë të arteve i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, që politikat e saj të jenë në favor të zhvillimit të jetës artistike në vendin tonë. Pedagogu i arteve prof. asoc. Genci Fuga thotë se strategjia e kombëtare e artit dhe kulturës mungon dhe institucionet e artit nuk kanë autonominë e tyre. Në një reagim tij, Fuga thotë se ti japësh autonomi institucioneve do të thotë që forcat politike të përpilojnë dhe dakordësojnë strategjinë kombëtare të zhvillimit të artit dhe kulturës. “Institucionet janë në këtë derexhe, sepse autonomia e tyre nuk është siguruar akoma. Po marr në shqyrtim institucionet e nivelit të dytë të Ministrisë së Kulturës, që janë kryesisht teatrot dhe institucionet e tjera përkatëse kombëtare. Për sa kohë do kemi autonomi të dyshimtë jo vetëm financiare, por edhe institucionale atëherë patjetër që këto institucione janë të varur kundrejt politikës në përgjithësi dhe programeve politike të ndryshueshme çdo katër vjet në veçanti. Të japësh autonomi institucionale do të thotë që përfundimisht duhet nga forcat politike, që do të drejtojnë në të ardhmen republikën, të përpilojnë dhe të dakordësojnë strategjinë kombëtare të zhvillimit të artit dhe kulturës”, thotë Fuga, pedagog i arteve. Me kritika për çfarë po ndodh me jetën artistike në vend, pedagogu i arteve aktori dhe regjisori Genci Fuga shton më tej se ajo që është parë deri më tani nga Ministria e Kulturës nuk ka qenë një strategji kombëtare për artin dhe kulturën, por një planveprimi afatgjatë. “Nuk kemi sot strategji kombëtare të artit dhe kulturës. Ministria është institucioni që duhet të përpunojë politikat dhe duhet të nxisë bërjen e politikave. Ajo që Ministria e Kulturës ka quajtur strategji që e publikoi përpara mbylljes pandemike ishte jo strategji kombëtare, por një planveprimi afatgjatë ministror”, thotë pedagogu i arteve Fuga.

Puna për strategjinë

Në reagimin e tij pedagogu i arteve Genci Fuga thotë se strategjia, që arti dhe kultura të zhvillohen në këtë drejtim duhet të ketë autorësinë dhe dakordësinë e faktorit politik. Sipas tij, në rast se kjo dakordësi nuk është e plotë ne do të kemi çështje si të Kushtetuës, si të zgjedhjeve, si të lëmshit që bëhet politik tek ne. “Por Ministria e Kulturës mund të origjinojë punën duke krijuar këtë grup me teknicienë dhe politikanë për zhvillimin e artit dhe kulturës, jo me artistë që do të bëhen deputet. Ata nuk kanë të bëjnë fare”, shprehet prof. asoc.Genci Fuga, në reagimin e tij. Ndërsa thotë se ka probleme që vazhdojnë në jetën artistike me çështjet ligjore, pedagogu i arteve Genci Fuga shton më tej se është strategjia kombëtare e artit dhe kulturës ajo që i hap rrugën autonomisë së institucioneve në vendin tonë. “Dua të sqaroj. Të qënit deputet është komplet tjetër, të qënit potencial ministër është gjë tjetër, të qënit pranë një force politike është gjë tjetër dhe të drejtosh dhe të realizosh punën se ku do të jetë arti dhe kultura pas 10 apo 15 vitesh është kompakt tjetër. Është pikërisht kjo strategji, që hap rrugën e ligjit të artit dhe autonomisë përfundimtare të institucioneve të rangut të dytë të Ministrisë së Kulturës”, thotë pedagogu i arteve Genci Fuga. Reagimi i pedagogut të njohur të arteve Genci Fuga vjen në një kohë kur po flitet për ligjin e ri të artit, statusin munguar të artistit dhe të tjera probleme, që shqetësojnë komunitetin artistik në vendin tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here