Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është thirrur sot në interpelancë nga deputeti Lefter Maliqi lidhur me kanabizimin në vend, ku foli dhe për vrasjen e dy të rinjve në Malësinë e Madhe për shkak të prishjeve të pazareve për kanabisin.
“Ngushëllime për shkak të paaftësisë së parandalimit të policisë në fushën e krimit, ç’mund të na thoni për kriminalitetitn, ndërkohë që Çela po thotë se krimi ka pushtuar qytetin e Elbasanit, për vrasje makabër në Lushnje e Shkodër, për problemet e drogës, ku dy ditë më parë u kapën 1.2 ton drogë. Vrasjen që u bë në Malësinë e Madhe, por ç’mund të na thoni edhe për parcelat me drogë, kur s’kemi marrë asnjë masë po policët. Ç’mund të na thoni për Vettingun skandaloz në Polici, për veprimet e OFL-së dhe veprimet e tyre të famshëm apo për policinë shtetërore”, tha Maliqi.
Ndërkohë vetë ministri tha se nuk mund të flasim për fenomen por tentativa të izoluara të mbjelljes së kanabisit. Ai tha se janë lodhur kot për të shkrepur video apo foto në parcela me kanabis pasi sipas tij është e pavërtetë, duke folur kështu për postimet e gazetarëve nga parcela hashashi.
“Janë lodhur për të shkrepur foto e video por më kot, mezi janë arritur të shkrepin nja dy foto për disa bimë. Tani kanë filluar që të paraqesin në media foto dhe video të marra nga policia në kuadër të operacioneve policore. Por cila është e vërteta për kanabisin? Fenomeni ka marrë goditje shkatërrimtare dhe në vend nuk mund të flitet për një fenomen po tentativa të izoluara. Sasia e kanabisit e kapur në Itali e Greqi që kanë qenë destinacionet kryesore për këtë veprimtari kriminale në nivelet më të ulëta historike”, tha ministri.
Por Lefter Maliqi i ka thënë “Uroj të mos kesh fatin e Tahirit. Shqiptarët nuk kanë nevojë për shifra farse”.