Komedia e suksesshme “Boeing Boeing”/ Të shtunën dhe të dielën në Teatrin Veror të Universiteti të Arteve

0
300

Komedia e suksesshme “Boeing Boeing” rikthehet në fundjavë për publikun. Komedia do të jetë mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se është komedia më e pëlqyer dhe se nuk duhet humbur. “Rikthehet për publikun komedia më e pëlqyer “Boeing Boeing” për të mos e humbur 17 – 18 tetor, ora18:30 në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Më shumë se çdo gjë kemi nevojë për të qeshura dhe pozitivitet”, shprehet teatri. Me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera, vepra është vënë në skenë me regji nga Kiço Londo. Në një reagim të tij regjisori Kiço Londo thotë se publiku ka treguar shumë interes për këtë vepër teatrore. “Një komedi që është pritur shumë mirë. “Boeing Boeing” ka pasur deri tani mbi 130 shfaqje. Nga publiku ka dyndje për biletat”, shprehet regjisori Londo në reagimin e tij, për këtë shfaqje që gjatë fundjavës do të jetë për publikun duke dhuruar të qeshura. Në këtë komedi në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili. Komedi franceze e autorit Marc Camoletti ka pasur sukses në skenat e huaja, por dhe në ato shqiptare ku është prezantuar deri tani para publikut. Që në kohën kur kjo premierë erdhi në skenë, regjisori Kiço Londo u shpreh se është një komedi që jep dhe mesazhe njerëzore. “Një komedi e mençur, e zgjuar dhe që jep mesazh mjaft njerëzor që pavarësisht nga keqkuptimet dhe aventurat e shumta, kur aventurat që na kushtojnë përfundojnë mirë, çdo gjë është mirë”, thotë regjisori Londo për këtë komedi, që vazhdon të ketë sukses sa herë shfaqet për publikun. Por dhe për vetë aktorët e shfaqjes më herët në reagimet e tyre janë shprehur se, është privilegj dhe kënaqësi që komedia “Boeing Boeing” po thyen rekorde shikueshmërie dhe vazhdon të pëlqehet e të kërkohet nga publiku.

Zhvillimi i ngjarjeve

Ngjarjet në komedinë franceze “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” sjell aventurat e beqarit francez Bernard me tri stjuardesa, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e tij. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në shkurt të këtij viti e riktheu për publikun e Tiranës në skenë komedinë “Boeing Boeing”, që u shfaq te “Ar Turbina”, por sërish kjo shfaqje do të vijojë dhe dy mbrëmje me radhë këtë herë në një ambient të hapur. “Boeing Boeing” është një shfaqje teatrore e rajonit Durrës – Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, në Elbasan, në Fier, në Tiranë, në Shkodër dhe në Korçë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here