Trazohen ujërat në opozitë/ Aleatët tradicionalë kërkojnë spostimin e LSI dhe futjen e tyre në listën e PD

0
442

Afrimi i zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021 dhe ndryshimi i Kodit të ri Zgjedhor duket se ka trazuar ujërat brenda opozitës joparlamentare. Prej disa ditësh partitë politike kanë zbritur në terren dhe kanë ndezur “De facto” motorët e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sipas draftit të PS ka shkaktuar debate dhe kakofoni. Vetë kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët e tij tradicionalë në selinë blu dy ditë më parë, ku u mësua se një nga skenarët që është diskutuar, por që nuk është vendosur është dalje e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me dy lista, një e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe një e udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Aleatët e PD kërkojnë spostimin e LSI

Por mungesa e një vendim dhe pritja e një përgjigje nga Basha, i cili theksoi se do të vendoset për strategjinë sapo të miratohej Kodi i ri Zgjedhor, ka çoroditur disi aleatët tradicionalë, të cilët vijojnë që të shikojnë si “çiban” partinë e Kryemadhit, pasi kërkojnë spostimin e LSI në zgjedhjet e ardhshme, duke kërkuar që ajo të mos jetë në listë me PD, por më vete. Kjo gjë u bë e ditur dje nga kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili gjatë një prononcimi për mediat deklaroi se ende nuk është e vendosur, ndërsa shtoi se ai dhe aleatët tradicionalë do të ishte e udhës dhe do të ishte e dobishme që të futeshin nën listat e Partisë Demokratike, duke i dërguar kështu mesash të qartë liderit të selisë blu. Ky skenar nuk është i panjohur për Bashën, pasi ky i fundit e ka aplikuar atë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, duke futur i ata në listat e demokratëve. “Do ta gjykojmë sesi do të vendosemi në listat apo jo të PD, duhet të shohim dhe qëndrimin që do të mbajë presidenti, pasi ka ende afat dhe mund ta kthejë sërish në Kuvend Kodin Zgjedhor. Ne gjykojmë se Europa ka mbajtur një qëndrim më të rreptë ndaj Ramës, duke qenë se ka dhe më shumë armë në dorë, se Amerika, siç është procesi i negociatave të anëtarësimit. Pavarësisht lobingjeve që ky bën, të gjithë e dinë që ky është zullumqari, që ngatërron jo vendin por edhe Ballkanin”, deklaroi Shehi. Megjithatë, në një linjë me Shehin ka qenë edhe kreu i PR, Fatmir Mediu, i cili më herët gjatë një prononcimi për mediat kërkoi spostimin e LSI dhe se sipas tij, PD duhet të fusë në listat e saj vetëm aleatët tradicionalë. “Nuk është e sikletshme për mua LSI në koalicion, por opozita ka një trung të vetëm. Rëndësi ka sa të vërtetë jemi me elektoratin që përfaqësojmë. Ky koalicion ka një lidership, një bosht dhe kjo është PD, çdo marrëdhënie tjetër që do të dobësonte këtë bosht, do të ishte i dëmshëm”, deklaroi Mediu.

Kryemadhi jashtë loje

Por shikimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim si rivale nga ana e aleatëve tradicionalë të Partisë Demokratike dhe kërkesë që ajo të dalë në listë më vete në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duket se e nxjerr jashtë loje partinë e Kryemadhit. Kjo pasi LSI është më e dëmtuara nga Kodi i ri Zgjedhor e në veçanti nga heqja e koalicioneve. Ndërkohë që faktori i dytë është se heqja e koalicioneve parazgjedhore në një farë mënyre ka marrë edhe bekimin e PD, për shkak se kjo e fundit s’ka reaguar ashpër për këto ndryshime dhe nuk ka ende një vendim se si do të futet në zgjedhjet e 25 prillit. Një sinjal se nuk është vendosur akoma plani, e ka dhënë dje nga Devolli, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. “Nuk ka rëndësi për ne Kodin Zgjedhor. Nuk kanë rëndësi modalitetet për ne e rëndësishme është që ne jemi një bashkim i madh. Ne jemi ne një koalicion kemi marrëveshje koalicioni me LSI dhe partitë e tjera të koalicionit të opozitës së bashkuar dhe në zgjedhjet do të hymë bashkë dhe do fitojmë zgjedhjet e 25 prillit”, deklaroi Bardhi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here