Ministri i Jashtëm i Holandës Stef Blok u tha deputetëve në Hagë se do të kërkojë që Shkupi dhe Tirana të trajtohen veçmas.
Kjo deklaratë vjen disa ditë para se ministrat e jashtëm të BE-së të mblidhen në Luksemburg më 13 tetor ku do të vendoset për rrugën e integrimit europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Blok vetëm Maqedonia e Veriut ka përmbushur detyrimet e saj për çeljen e negociatave në dhjetor.
“Ne e dimë dallimin e bërë mes procesit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është në përputhje me përpjekjet e qeverisë për të ndarë fatet e tyre përsa i përket negociatat, pasi negociatat duhet të bazohen në merita individuale, para së gjithash”, mësohet të ketë thënë Blok.
Prandaj, theksoi ai, është e nevojshme të bëhen procese të ndara negociuese për këto dy vende.
Ai ka shpjeguar më pas situatën me Shqipërinë. “Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë varet nga veprimet aktuale në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Demonstrimi me fakte i luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë dhe është një kusht thelbësor në vendimin për Shqipërinë. Ne jemi informuar për mosmarrëvsehjet për kodin e ri zgjedhor, dhe pengesat për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Blok, sipas citimit të bërë nga Albania Daily News.
Për ministrin e Jashtëm holandez një tjetër pengesë është dhe ligji për median, i cili sipas tij është bërë pa konsideruar rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ndërkaq, autoritetet holandeze janë të shqetësuara për rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria. Duke iu referuar një raporti të fundit, shqiptarët mbajnë vendin e parë për emigrant të paligjshëm në Holandë dhe Francë.



































