Nënsekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach komentoi ditën e djeshme marrëdhëniet mes dy vendeve për zhvillimin ekonomik. Gjatë një interviste për “A2”, Keith Krach foli për letrën që presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi kryeministrit Edi Rama, ku u shpreh i prerë se Shqipëria duhet t’i tregojë vendin bullizmit të Kinës. Sipas nënsekretarit amerikan, një doktrinë e Kinës për të joshur vendet e tjera pas vetes është përmes parasë dhe realizimi me intimidim dhe ndëshkim. “E njoh Presidentin Trump, me këtë letër ai njeh udhëheqësin e Shqipërisë dhe pranon që kur sheh nismën e mësipërme të Kinës (fshehje, kooptim, shtrëngim) dhe konferencën që kemi në më pak se një muaj, objektivi është që të gjitha ato vende të jenë në Rrjetin e Pastër. Pra, Shqipëria shihet si udhëheqëse dhe Shqipëria nuk ka frikë t’i tregojë vendin bullizmit të Kinës. Është shumë e qartë për mua pasi u takova me kryeministrin se qytetarët shqiptarë e kuptojnë që një tjetër doktrinë e partisë komuniste kineze është joshja përmes parave dhe realizimi me intimidim dhe ndëshkim. Ata bëjnë bullizëm. Dhe të gjithë kemi pasur përvoja, pavarësisht ku jemi rritur, me bullizmin. Ajo që di është që kur përballesh me bullizmin, ata tërhiqen. Dhe ata vërtet tërhiqen nëse ke miqtë e tu në krah”, tha nënsekretari amerikan.
Investimet e huaja në Shqipëri
Nënsekretari i SHBA, Keith Krach tregoi edhe qëllimin e vizitës së tij në Shqipëri, duke deklaruar se ka zhvilluar një sërë takimesh për të forcuar më shumë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe jo vetëm në mënyrë që të pengojnë kërcënimet e hapura që vijnë nga Kina. Sipas tij, SHBA po punon për Rrjetin e Pastër dhe 5G për të siguruar privatësinë e të dhënave apo edhe sigurinë. “Tetë vende të ndryshme dhe shumë kohë edhe me zyrtarë të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Vërtet, qëllimi kryesor ishte që të çojmë marrëdhëniet në një nivel tjetër dhe në veçanti të flisnim për kërcënimin real dhe urgjent që partia komuniste kineze paraqet ndaj demokracive kudo në botë. Kjo bëri të flisnim edhe për 5G dhe Rrjetin e Pastër, i cili është përqasja e gjithanshme e SHBA dhe vendeve të tjera për të trajtuar kanosjen afatgjatë ndaj privatësisë së të dhënave, sigurisë, bashkëpunimit të besueshëm, si dhe të drejtave të njeriut, kanosje që paraqitet nga Partia Komuniste dhe ky rrjet i ka rrënjët tek standardet dixhitale të besimit të pranuara ndërkombëtarisht që mbështeten tek një koalicion partnerësh”, tha Keith Krach.
Sundimi i ligjit
Por nënsekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Krach foli edhe për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sipas tij, ka ardhur koha që vendi të ketë gjykata të pastra dhe të pandikuara nga politika dhe korrupsioni, duke shtuar se dhe sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm. “Meqë ra fjala, shohim që ka vullnet, po fillojmë të shohim disa veprime. Gjëja kyçe është ajo që do ta quanim gjykata të pastra si dhe sundimi i ligjit. Pra nëse shikon se çfarë po bëjmë ne, është rrjeti global i besimit. Ky përbëhet nga vende, kompani, shoqëri civile që mendojnë në mënyrë të ngjashme, në të gjitha fushat e bashkëpunimit ekonomik, një rrjet që funksionon sipas një pakete parimesh besimi si llogaridhënia, integriteti, reciprociteti, transparenca, respekt për sundimin e ligjit, respekt për pronën e çdo lloji, respekt për sovranitetin e vendeve, respekt për planetin, respekt për të drejtat e njeriut, respekt për lirinë e besimit. Dhe kjo është pjesë me rëndësi e saj”, u shpreh Keith Krach.