Pano Soko përmes një postimi në rrjete sociale sqaron se kjo deklaratë e tij është keqkuptuar , pasi Nisma Thurje do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë nuk sqaron deklaratën që bëri për Rudina Hajdarin, duke lënë të kuptohet se Nisma do të shkojë në zgjedhje, por pa deputeten.
Postimi i plotë:
Për të sqaruar gjithë publikun në lidhje me një lajm që qarkullon për mos marrjen pjesë të Nismës Thurje në zgjedhjet e 25 Prillit.
Lajmi është keqintepretuar.
Unë kam thënë që Nisma Thurje patjetër që do të çojë përpara të gjitha angazhimet që ka ndërmarrë përpara publikut për çuarjen deri në fund të atyre që ne i konsiderojmë si pika kyçe të ndryshimit rrënjësor të sistemit aktual politik që përfshijnë sistemin elektoral proporcional kombëtar me lista të hapura, ligji për referendumet dhe ligji për partitë politike, si dhe gjithë propozimet e Kartës 2020, duke i përkthyer në ofertë politike në zgjedhjet e 2021.
Forma se si, është për t’u vendosur nga të gjithë ne, në kuadër të zhvillimeve të fundit të kodit elektoral.
Formati i një partie tradicionale nuk është ai që ne do të zgjedhim, sepse është kundër filozofisë sonë.
Bashkarisht jemi duke eksploruar gjithë format e mundshme dhe do t’i prezantojmë për të gjithë publikun kur t’i kemi gati.
Por që ne do të luftojmë deri në fund, do të shkojmë në garën e 25 Prillit, me qëllimin e vetëm për të mbajtur angazhimet tona, kjo është e sigurtë!