Për herë të parë ka folur dhe Rrok Pepaj, babai i Danielit, i cili akuzohet për vrasjen e dy kushërinjve të tij, Vilson Çutaj dhe Klement Papaj në Malësinë e Madhe.
Rrok Pepaj thotë se sherri ka ardhur për kanabisin pasi sherr tjetër nuk ka patur.
“Këtë të shtunë, në datën 3 djalin tim e kanë dhunuar Klementi dhe Vilsoni me të vëllanë, dhe me një grup tjetër. Ngjarja që e kanë rrahur djalin ka ndodhur në Bajzë, e kanë futur në bagazhin e makinës, dhe kur kanë shkuar në mal nuk jam më në dijeni se çfarë ka ndodhur. Mendoj se kjo ka ndodhur për parcelat e drogës, ne nuk ia kemi ditur këtë gjë. Nuk e di që të kenë pasur ndonjë debat tjetër, në asnjë mënyrë nuk do ia pranoja djalit këtë. Tani e mësova që është marrë me këtë punë, dhe që e kanë hetuar për këtë punë (te mbjellat me kanabis). Unë nuk kam dijeni se e ka bërë djali im këtë, por mund ta ketë bërë në nerva e sipër nëse e kanë rrahur. Unë e dija se djali prej dy javësh ishte në punë në Malin e Zi. Ne djemtë nuk na kanë pyetur për asgjë, nëse djali im e ka bërë këtë punë, të shkojë dhe të dorëzohet në Polici. Mua më ka ardhur Policia natën, dhe iu kam thënë për të gjitha siç po ua them juve këtu, unë uroj që të gjithë të jenë gjallë,”- u shpreh Rrok Pepaj që nuk i mbajti dot lotët.