Kryeministri Edi Rama ka thënë në konferencën për shtyp se nuk kemi të bëjmë me një kthim pas të vizave por një sistem sigurie e vetë BE-së. Sipas Ramës kjo nuk është bërë vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet që nuk kanë nevojë për vizë në BE.
“Sistem sigurie i BE, për të gjitha shtetet joanëtare të BE, qytetarët e të cilëve duan të hyjnë në BE dhe nuk ka nevojë për vizë. Për ata bëhet fjalë. Jemi në një shoqëri që besoj s’ka të sharë me amerikanët, zviceranët, britanikët, japonezët, që sistemi ETIAS do të duhet që para se të niset për në BE të ketë një aplikim online, pak minuta, dhe aplikimi nuk është për vizë, shpesh aplikimi yt futet në sistem dhe ti merr konfirmimin po online në një kohë shumë të shkurtër nëse je apo nuk je i lejuar të hysh në BE në bazë të kartelës kriminale. Nuk ka lidhje fare kjo me qytetarët që nuk kanë kartelë kriminale të regjistruar si person i terrorizmit apo krimin e organizuar. Pra, është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE, nuk është kthim prapa te viza siç me siguri do të predikohet nga të gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës digjitale nga Gjiri i Lalzit”, tha Rama.