Altin Lala llogaritet ndër futbollistët me karrierën më brilante ndër lojtarët shqiptarë, pasi për më shumë se një dekadë luajti në Bundesligë si simbol i klubit të Hanoverit. Ai është lojtari i dytë me më shumë ndeshje në përfaqësuese pas Lorik Canës, madje llogaritet si një nga 15 lojtarët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave. Gjurmët e Altin Lalës tek Hanoveri po i ndjek së fundmi një tjetër talent shqiptar, ndërkohë që të tjerë po përpiqen të firmosin me skuadra të njohura europiane nga Spanja, Zvicër e në Gjermani dhe Itali. Në gjurmët e Lalës, Çepele firmos me Hanoverin Talenti i ri i kombëtares shqiptare të futbollit, Ramen Çepele, bën lëvizjen e parë të rëndësishme të karrierës së tij. Mbrojtësi 17-vjeçar i rritur në akademinë e Interit dhe që prej shtatorit pjesë e kombëtares shqiptare, ka vendosur që të largohet nga zikaltrit për të firmosur si profesionist. Lojtari është transferuar sot zyrtarisht nga klubi italian në radhët e ekipit të Hanover në Gjermani. Klubi aktualisht gjendet në Bundesligën 2 dhe Çepele do ta nisë nga skuadra e të rinjve, por me shpresën që shumë shpejt të kalojë në ekipin e parë. “Me firmën e Ramen Çepele ne po vazhdojmë rrugën tonë të afrimit të lojtarëve të rinj, shumë të talentuar, duke i stërvitur ata dhe duke i afruar në ekipin e profesionistëve. Ramën do të luajë fillimisht te U19 por është i planifikuar si lojtar i skuadrës së parë në perspektivë. Ai kishte oferta nga disa klube të tjera, ndaj ne jemi të lumtur që ai ka zgjedhur Hanover”, ishin fjalët e drejtorit sportiv Gerhard Zuber pas firmës në kontratë. Zvicra nuk e lëshon Zeqirin, lë me “gisht në gojë” Kosovën dhe Shqipërinë Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta ftojë Andi Zeqirin në të ardhmen në ekipin A të Helvetikëve. Futbollisti kosovar u ftua sot nga Zvicra U-21 për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2021, por futbollistin kosovar po e ndjek me kujdes edhe Kombëtarja A. Derisa Kosova llogarit në të për të ardhmen, të njëjtën gjë po e bëjnë edhe zviceranët. “Ne jemi gjithmonë të sinqertë. Do ta marr atë në ekipin kombëtar kur të jem i sigurt se ai mund të na ndihmojë ne. Unë nuk do ta bllokoj kurrë atë. I kam folur qartë për këtë, ai tashmë ishte në listën B. Ai është në radarin tim”, ka thënë Petkoviç në konferencë për shtyp sot. Zeqiri ka shkëlqyer në futbollin zviceran me ekipin Lozane-Sport, ndërsa së fundmi u transferua në klubin nga Premierliga, Brajton. 21-vjeçari pritet ta ketë një karrierë mjaft të suksesshme. Në fakt, Andi Zeqiri i cili u transferua zyrtarisht nga Lauzane te Brajton në Premier League angleze për shumën e 4 milionë eurove, duke bërë hapin e madh në karrierë konsiderohet një lojtar shumë i rëndësishëm dhe me shumë vlera nga trajneri i skuadrës angleze Graham Poter i cili ka thënë fjalë të shkëlqyera për Zeqirin ku është pyetur nga gazetarët. “Andi është një lojtar të cilin e kemi në vëzhgim tani e disa kohë, i dimë kualitetet e tij dhe e dimë se çfarë do sjellë ai tek skuadra. Jemi të lumtur ta mirëpresim atë në klubin tonë, do jetë një cilësi e shtuar në sulm”, u shpreh trajneri Poter. Përsa i përket përfaqësueseve Zeqiri i cili ka luajtur me të gjitha skuadrat e moshave të Zvicrës duke shënuar dhe një numër të lartë golash ka deklaruar se do të përfaqësojë Kosovën. Një talent shqiptar nënshkruan për Granadën në Spanjë Një mesfushor shqiptar do të bëhet shumë shpejt pjesë e skuadrës së Granadës në kampionatin spanjoll. Pasi u interesua për Keidi Baren, por më pas hoqi dorë nga blerja e tij, klubi spanjoll ka piketuar një tjetër lojtar shqiptar për të ardhmen. Sipas mediave ndërkombëtare, është arritur akordi që në radhët e klubit spanjoll të transferohet mesfushori i përfaqësueses U21 të Kosovës, Eris Abedini. Mesfushori i qendrës ka spikatur në ekipet e të rinjve dhe në aktivizimin e tij me ekipin e Luganos, i cili zotëron kartonin e djaloshit. Palët kanë arritur akordin dhe pritet që në ditët në vijim ai të shkojë në Spanjë për vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën e re që e lidh me Granadën për tre vitet e ardhshme. Abedini është nën monitorim edhe nga përfaqësuesja A e Kosovës, me trajnerin Shalond që e sheh si një element të rëndësishëm për të ardhmen.