“Shengeni rajonal” është projekt i të rinjve ka theksuar sërish kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp me homologun kosovar, Abdulla Hoti dhe sipas tij nuk ka asnjë burrë që mund ta vonojë.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare u ndal dhe te njohja e Kosovës nga Serbia, duke u shprehur se rruga e vetme për këtë është ajo diplomatike. Sa i takon kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, Rama deklaroi se “Ne duhet të shohim si do të shkojmë përpara së bashku, duke zhbërë kufirin plotësisht, duke e kthyer kufirin thjesht në një vijë administrative-gjeografike, dhe në një korridor të lirë për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve”.
“Më vjen shumë mirë që sot jam këtu me Avdullah Hotin, i cili me urtësi, me mençuri dhe kurajo ka zhbllokuar një proces të ngrirë dhe ka hequr një pengesë të vetëvënë të Kosovës, duke i hapur rrugë vazhdimit të të vetmes vijë sjelljeje ndërkombëtare, që Kosova ka të përcaktuar qysh në ditën e parë të lindjes së saj, dialogut, dialogut, dialogut, dhe përkatësisë së patundur në familjen e madhe të vendeve që ishin kyçe në çlirimin e saj, në partneritet me SHBA dhe BE. Natyrisht që më vjen shumë mirë që tanimë tabuja e shengenit rajonal ka rënë dhe shengeni rajonal është projekti i fëmijëve tanë. Një projekt që asnjë burrë, në çfarëdo moshe qoftë, nuk mund ta marrë peng dhe nuk duhet ta vonojë, duke shfrytëzuar mandat përfaqësimi nga populli ynë këtej dhe andej bjeshkëve. Shengeni rajonal është një projekt, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në një të ardhme shumë më të mirë për rininë tonë, për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.
Është një projekt transformues për mënyrën e të jetuarit në një rajon, ku duhet të bëjmë çmos dhe është detyrimi ynë të bëjmë çmos për t’u shkëputur nga e shkuara, por edhe për njohjen e Kosovës nga Serbia, e cila mund dhe do të realizohet vetëm në rrugë diplomatike dhe përmes mençurisë, durimit dhe aftësisë për të fituar një betejë si kjo, që është diplomatike sot, nuk është ushtarake. Kosova e ka fituar lirinë, është shtet sovran dhe i pavarur, që nuk mund të vihet në diskutim apo të zhbëhet nga kushdo që vonon ta njohë. I takon Kosovës, por edhe neve, që të jemi në lartësinë e duhur për të mos shpërdoruar lirinë, duke krijuar barrikada e mure, që na dëmtojmë vetëm ne shqiptarëve si komb.