Opozita parlamentare ka braktisur mbledhjen e komisionit të ligjeve ku diskutohen nen për nen ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ka qenë fillimish Rudina Hajdari ajo që ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes, pasi të enjten është parashikuar mbledhja e Këshillit Politik ku opozita jashtëparlamentare ka paraqitur propozimet e saj. Kështu që sipas Hajdarit nuk mund të diskutohet sot nen për nen.
Por Damian Gjiknuri i PS-së tha se opozita jashtëparlamentare ka problem koalicionet dhe jo listat, dhe diskutimi mund të vijojë.
“Habitem që zonja Hajdari ka ndërruar komplet mendim për KP se dikur s’donte fare të merrte pjesë. Megjithatë për të sqaruar, opozita jashtëparlamentare ka ngritur vetëm një çështje, vetëm për koalicionet. Unë kam thënë ejani flasim për listat, dhe debati për koalicionet për mua është një pikë e mbyllur. Megjithatë nëse palët këtu duan të flasin këtu për koalicionet, që unë mendoj se është vështirë të gjejmë dakordësi e flasim, për mënyrën si ata mendojnë koalicionet. Ky proces do të vijojë këtu, por paralelisht do të vijojë edhe në KP”, tha Gjiknuri.
Pasi kërkuan dhjetë minuta pushim, deputetët e opozitës braktisën mbledhjen duke thënë se maxhoranca nuk ka vullnet për të realizuar 100% hapjen e listave. Kjo u bë shkak më pas që mbledhja të shtyhet.









































