Kreu i qeverisë Edi Rama ka prezantuar sot programin e ekonomisë dhe rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi vendin dhe pandemisë së koronavirusit.
Ai tha se nuk do të ketë më pagë minimale nën 300 mijë lekë të vjetra teksa foli dhe për lehtësirat për biznesin e vogël.
“Rindërtimi një proces që përtej faktit që do të rikthejë në shtëpi të gjitha familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit dhe do të kthejë në shkollat e tyre tërësisht të reja të gjithë nxënësit dhe mësuesit që sot vazhdojnë të kryejnë procesin e mësimdhënies në shkolla të tjera, ka dhe një impakt të padyshimtë ekonomik që i vjen në ndihmë vendit dhe njerëzve në këtë periudhë të vështirë nga COVID.
Deri një ditë para tërmetit, projeksionet e ekonomisë shqiptare ishin shumë pozitive, duke iu referuar shifrave zyrtare dhe të konfirmuara nga institucionet financiare, papunësia e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajonin tonë me 11% pritej të shkonte dhe më poshtë, borxhi në trajektore rënëse nën 65%, investimet e huaja dhe turizmi falë rritjes së mëtejshme të turistëve të huaj patjetër do të kishin një impakt të shtuar por gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë të 26 nëntorit dhe me tërmetin e dytë, virusin COVID-19. Sidoqoftë masat e marra nga qeveria në të dy drejtimet, konferenca jashtëzakonisht e suksesshme në Bruksel e donatorëve që na çliroi përfundimisht nga ankthi se do të na duhej të spostonim krejtësisht gjithçka nga pikëpamja financiare tek rindërtimit duke lënë mënjanë çdo investim tjetër si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme kanë ndihmuar që sot mund të themi pa frikë tanimë, duke parë dhe rezultatet pasuese të periudhës pasuese nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në -10% të PBB, presim të kufizohemi në më pak se 4.5%. Nuk është pak si parandalim”, deklaroi Rama.








































