Google search engine
Home Ekonomi Kompanitë më të mëdha të rajonit/ Shqipëria “mburret” me tregti, Serbia e...

Kompanitë më të mëdha të rajonit/ Shqipëria “mburret” me tregti, Serbia e Maqedonia me industri e teknologji

0
251

Në renditjen e kompanive më të mëdha në Shqipëri vijojnë të mbizotërojnë kompanitë tregtuese të naftës. Rajoni po profilizohet në industrinë prodhuese, duke rritur eksportet me vlerë të shtuar dhe duke e lënë në fund vendin tonë për këtë tregues.

3 kompani nga 10 të mëdhatë në Maqedoni janë prodhues të mëdhenj të industrisë automotive. Serbia po bëhet lider në teknologjinë e informacionit

Investimet në zgjerimin e kapaciteteve, rritja e eficencës, kalimi drejt teknologjive të gjelbra dhe fokusi te novacionet ishin elementet kryesore të strategjive të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore gjatë viteve të fundit, teksa përpiqen të kapin kolegët e tyre të Europës Perëndimore.

Sidoqoftë, për të shfrytëzuar këtë potencial, është e rëndësishme që ata të akordojnë më shumë para për kërkime. Shëndeti i mirë i industrive themelore të rajonit siguron baza të forta për një fokus më të mprehtë në inovacione.

Raporti vjetor i “See News”, një publikim që bën renditjen rajonale të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore, e vë theksin te përshtatja e kompanive ndaj ndryshimeve teknologjike, por edhe sociale.

Sektori i automobilave është ndër industritë më të shpejta në zgjerim në të gjitha vendet e rajonit, për sa i përket kontributit ndaj PBB-së, rritjes së kapacitetit prodhues, vëllimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, sidomos në Serbi dhe Maqedoni. Në të dy këto shtete, kompanitë e sektorit prodhues renditen ndër më të mëdhatë, sa i takon qarkullimit vjetor dhe punësimit. Një kontrast total me Shqipërinë, ku në renditje kryesojnë sipërmarrjet tregtuese, sidomos ato të karburanteve, ndërsa vëmendjen kryesore, vitet e fundit, e kanë marrë koncesionet.

Tre prodhues për pjesë automjetesh në Maqedoni renditen sërish ndër 10 më të mëdhenjtë sipas qarkullimit vjetor (me mbi 8,000 të punësuar në total), ndryshe nga Shqipëria që ka në këtë listë katër subjekte që tregtojnë karburante me shumicë, një aktivitet pa vlerë të shtuar dhe pa kontribut në punësim.

Serbia është një tjetër shtet konkurrues në rajon, edhe për shkak të traditës që ka në industrinë automotive.

Në këtë garë rajonale, Shqipëria është në fillesa. Katër sipërmarrje kanë hyrë në këtë sektor vitet e fundit, “Forschner”, “PSZ Albania” dhe së fundmi “Delmon” dhe “Yura”. Por asnjëra prej tyre nuk ka arritur ende të hyjë në listën e “Monitor 200”.

Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik i favorshëm dhe maturimi i tregut të fqinjëve me fabrika të industrisë automotive që kryejnë procese të thjeshta fasoneri, po shërbejnë si shtysë në vendimet e investitorëve që të hedhin sytë nga Shqipëria, por sektori po has vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar.

Jo rastësisht, Serbia dhe Maqedonia janë të pozicionuara më mirë në rebusin se cili shtet do të arrijë të kalojë me më pak pasoja pandeminë e Covid-19. Institucionet ndërkombëtare presin që ato të goditen më pak, sidomos Serbia, e cila vitet e fundit është bërë një nga pionierët e zhvillimit të teknologjisë, jo vetëm në rajon, por po merret si model në të gjithë Europën.

Rajoni, cili është më i mirëpozicionuar për të përballuar krizën

Një raport i “See News” për efektet e pandemisë në rajon, vlerëson se COVID-19 pritet të rrisë më tej papunësinë në Ballkanin Perëndimor. Bujqësia dhe teknologjitë e informacionit janë sektorët që mund të përfitojnë potencialisht nga pandemia

Në Shqipëri, prodhimi, tregtia dhe turizmi pritet të goditen rëndë nga kufizimet në lidhje me pandeminë, me turizmin që pritet të përballet me rënie të kërkesës dhe punësimit. Ekonomia e Shqipërisë mbështetet shumë te konsumi privat, i cili do të dëmtohet në mënyrë të pashmangshme nga pandemia e COVID-19 dhe kriza ekonomike që ai ka shkaktuar.

Vendi është i brishtë dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Ndonëse ato janë të larta, dy investitorë kontribuojnë mbi një të tretën e të gjithë IHD-ve, gjë që e bën atë të prekshëm ndaj goditjeve nga vëllimet më të ulëta të investimeve. Vendi nuk ka shumë të ngjarë të vazhdojë politikat e tij të investimeve, duke pasur parasysh pritjet se do të jetë ndër ekonomitë me performancën më të keqe në Europë dhe tashmë ka hyrë në recesion.

Maqedonia e Veriut ka një ekspozim mesatar ndaj humbjeve të parashikuara nga sektorët më të prekshëm nga pandemia COVID-19 dhe si rrjedhojë, një strukturë më të favorshme për të diversifikuar rreziqet ekonomike sesa rivalët e saj rajonalë. Maqedonia e Veriut është një nga vendet e Europës Juglindore me performancën më të mirë, për sa u përket perspektivave për rikuperimin e shpejtë të PBB-së në nivelet e parapandemisë. Këto perspektiva optimiste të rritjes mund të zbehen nga përkeqësimi i besimit të konsumatorit dhe biznesit.

Sipas Bankës Botërore dhe FMN, Serbia është ndër vendet që pritet të rikuperojë të gjitha humbjet në ekonomi në 2021 dhe madje të kalojë pak nivelet e 2019. Serbia pritet të përfitojë nga dixhitalizimi i lartë për shkak të trendit të punës nga shtëpia dhe nevojave të jashtme. Serbia është më pak e ndjeshme ndaj goditjeve të IHD-ve, pasi asnjë investitor i vetëm i huaj nuk llogariti më shumë se 21% të fluksit total të IHD-ve të vendit në 2019.

Bosnja pritet të rikuperohet në nivelet e vitit 2019 vetëm në 2021 ose edhe të qëndrojë nën këtë nivel, duke u vlerësuar me një performancë të ulët. Sektori i shërbimeve në Bosnjë do të marrë barrën kryesore të krizës këtë vit me një rënie prej 2.4%, sipas raportit të Bankës Botërore. Konsumi privat gjithashtu është tkurrur. Vendi është veçanërisht i prekshëm ndaj shkëputjes së zinxhirëve të prodhimit të BE-së dhe ndaj rënies së flukseve hyrëse nga migrantët.

Në Kosovë, rënia e pashmangshme e dërgesave të parave nga diaspora që jeton në BE, së bashku me shtimin e papunësisë për shkak të mbylljes së sektorëve të tërë për dy muaj, do të tkurrin konsumin privat të brendshëm, motorin kryesor të rritjes së PBB-së. Investimet kapitale bruto dhe eksportet gjithashtu do të vuajnë gjatë gjithë vitit 2020, për shkak të uljes së besimit të biznesit dhe tkurrjes së përgjithshme të aktivitetit ekonomik dhe konsumit në Europën Qendrore e Lindore, si dhe në BE – partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës.

Mali i Zi pritet të jetë një nga vendet e EJL-së, që do të goditen më keq nga recesioni i shkaktuar nga COVID-19, si për nga forca dhe kohëzgjatja, si dhe do të pësojë rënien më të thellë në rajon, për shkak të varësisë nga turizmi. Eksportet pritet të bien, kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave nga turizmi. Kjo do të thellojë me tej deficitin tregtar strukturor të ekonomisë malazeze, që ka prodhim të dobët vendas dhe mbështetje të madhe në importe për investime dhe mallra konsumi./ Marrë me pjesë nga Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here