Mjeti luksoz që u ndoq mbrëmjen e kaluar nga policia në Elbasan, pasi drejtuesi nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga ana e forcave RENEA, është gjetur i braktisur.
Mësohet se mjeti ishte marrë me qira dhe pasi është gjetur, policia ka marrë në pyetje pronarin e makinës.
Ai ka deklaruar se nuk kishte pasur kontratë me personin, që kishte marrë makinën për ta shfrytëzuar.
Pronari ka deklaruar se gjithashtu nuk kishte mbajtur as kartën e identitetit të personit që e mori me qera. Dyshohet se shoferi ka ikur, nga frika se mos penalizohej.
Policia ka nisur hetimet dhe kërkimet duke u bazuar tek të dhënat fizike, që ka dhënë qiradhënësi.
Po hetohet nëse automjeti është përdorur, në ndonjë ngjarje kriminale.









































