Klubet e Kategorisë Superiore kanë zbritur në fushë por nuk do të luajnë në shenjë proteste. Ndodhemi në javën e dytë të kampionatit dhe ende nuk është “shkelmuar” topi i parë për këtë sezon. Të gjitha skuadrat kanë zbritur në fushë në të 5-ta stadiumet, teksa kapitenët e të gjitha skuadrave kanë lexuar letrën me 4 kushtet që kërkojnë të plotësohen për t’u rikthyer në fushë.
Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të plotësojnë kushtet, pasi në rast të kundërt, do të vazhdojnë bojkotin. Pasi u rreshtuan në fushë dhe lexuan letrat përkatëse, të gjitha skuadrat i janë drejtuar dhomave të zhveshjes.
Kërkesat e Ligës së Futbollit për qeverinë janë miratimi i një ligji për sponsorizimet sipas propozimit të klubeve, përfshirjen e çdo aktiviteti ekonomik të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6 për qind, anulimin e gjobave e kamatëvonesave për detyrimet fiskale të prapambetura, dhe përjashtimin nga tatimi të të ardhurave të futbollistëve me 10 vjet, jo me 2 vjet sipas vendimit të qeverisë.