Teatri “Migjeni” me premierën “Kutia e zezë”, në “SKUP International Theatre Festival 2020”

0
370

Trupa e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës është pjesëmarrëse në “SKUP International Theatre Festival 2020”, me premierën “Black Box” (Kutia e zezë). Teatri bën me dije se vepra teatrore është adaptuar për skenë nga regjisori Fatos Berisha e “Perfect Strangers” së Paolo Genovese. Vepra me regji nga Fatos Berisha interpretohet nga aktorët Rita Gjeka Kacarosi “Mjeshtre e Madhe”, Pjerin Vlashi, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Krist Lleshi, Linda Jarani, Nikolin Ferketa, Silvia Kacarosi. Kostumografia është realizuar nga Desantila Lika dhe as/regjisor Astrit Fani. “SKUP International Theatre Festival 2020” zhvillohet nga data 17 deri më 22 të këtij muaji. Aktorët e teatrit “Migjeni” janë pjesëmarrës në këtë festival me një vepër, që flet për një problem të madh social. “Kutia e zezë” simbolizon celularin, pra teknologjia e cila në një mënyrë po na e kontrollon jetën tonë. Regjisori i njohur kosovar Fatos Berisha, ka përzgjedhur tekstin e Paolo Genovese për tu rikthyer në Shkodër. Më herët në media ai është shprehur se vepra trajton një problem të madh social siç është përfshirja tej mase e shoqërisë brenda teknologjisë. ““Kutia e zezë” simbolizon celularin, pra teknologjia e cila në një mënyrë po na e kontrollon jetën tonë. Brenda tregimit ka elementë komikë që reflekton shoqërinë tonë moderne. Kam menduar që referenca duhet të jetë në atë çfarë po ndodh në botën tonë shqiptare”, thotë regjisori i njohur Fatos Berisha, për këtë vepër premierë me artistët e tetarit “Migjeni” të qyteti të Shkodrës.

Bashkëpunimi me shfaqjet

Regjisori i njohur Fatos Berisha dhe më parë është mirëpritur me veprat teatrore, që ka sjellë me trupën e teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës. Ndërsa merr pjesë me shfaqjen premierë “Kutia e zezë” në një festival në Shkup, teatri “Migjeni” i Shkodrës para disa ditësh ishte pjesëmarrës dhe në festivalin e komedisë “KoKoFest” në qytetin e Korçës, me një tjetër vepër me regji nga Fatos Berisha. “Zona e pritjes” ishte pjesëmarrëse në “KoKo Fest 2020” dhe në përfundim të këtij festivali aktorja Krist Lleshi u shpall si aktorja e re më e mirë. Kjo vepër e autores kroate Marina Vuçiç erdhi si premierë në teatrin “Migjeni” në Shkodër, me regji nga Fatos Berisha një vit më parë. Një komedi e zezë, që në ngjarjet e saj godet problematikat sociale dhe ato në sektorin e shëndetësisë. Në komedinë e zezë “Zona e pritjes” ngjarjet zhvillohen në një korridor ambulance, ku të gjithë presin të futen tek doktori. Por ama kur i vjen radha për t’u futur të gjithë nxjerrin nga një justifikim për ta shtyrë këtë takim. Kjo komedi e zezë e autores kroate Marina Vuçiç dhe e sjellë nën regjinë e Fatos Berishës, ndërthurur me lojën brilante të aktorëve na bën të reflektojmë, por edhe kuptojmë disa të vërteta të jetës tonë të përditshme, që nuk duam t’i vlerësojmë sa duhet. Premiera u mirëprit nga publiku shkodran jo vetëm për mesazhin, që jep kjo vepër por edhe lojën e aktorëve të teatrit “Migjeni”. Edhe me këtë bashkëpunim aktorët u shprehën me vlerësime për punën me regjisorin Fatos Berisha, ku me një tjetër vepër me regji prej tij do të jenë pjesëmarrës në një tjetër festival. Gjatë kësaj kohe teatri i “Migjenit” ka vijuar punën me artistët, duke respektuar rregullat që janë vënë gjatë pandemisë, por nuk kanë munguar dhe premierat. Në jetën artistike të këtij teatri dhe më parë janë vënë në skenë shfaqje, që kanë marrë vlerësime në festivale si brenda ashtu dhe jashtë vendit tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here