Nxehet situata brenda PD/ Topalli: Pasuria e Bashës e dyshimtë, bashkëpunimi me LSI i pamoralshëm

0
572

Situata brenda Partisë Demokratike duket e tensionuar. Teksa PD e drejtuar nga kreu i saj Lulzim Basha ka nisur fushatën për zgjedhjet e ardhshme të 2021 dhe po mbajnë takime nëpër qytete, emrat e vjetër të PD duket se nuk po e lënë të qetë Bashën. Jozefina Topalli është një ndër zërat më kritikë ndaj kryedemokratit Basha. Pak ditë më parë ajo bëri publik një shkrim ku u shpreh mjaft e ashpër ndaj kastës politike, sakaq nuk u kursye as ndaj liderit demokrat. Topalli bëri thirrje për protesta si në Minks dhe tha se Rama, Basha dhe Meta janë të gjithë bashkë, duke kërkuar kështu krijimin e një alternative të re. Ndërkohë ditët e fundit ajo ka qenë në fokus mediatik, ku ka bërë shumë intervista dhe në asnjërën prej tyre nuk ka kursyer kritikat dhe akuzat ndaj Bashës. Në një intervistë ditën e djeshme, Topalli deklaroi se pasuria e Lulzim Bashës është e dyshimtë. Po ashtu mjaft e prerë ishte kur deklaroi se Basha duhet të largohet nga drejtimi i PD para zgjedhjeve. “Pasuria e Bashës është shumë e paqartë, ai një vit para zgjedhjeve shton vilat. Basha duhet të bëjë transparencë për pasurinë e tij. Nëse ai nuk ikën nga drejtimi i PD-së, Rama merr mandatin e tretë”, tha Topalli. Më tej Topalli shtoi se bashkëpunimi i PD me LSI është i pamoralshëm. Sipas saj lidershipi i opozitës nuk i ka bashkuar të gjitha fraksionet, por ajo shton se është kthyer në përçarësin më të madh të një opozite. “Lidershipi i kësaj që quhet opozitë, në fakt jo vetëm që nuk e ka bashkuar të gjithë fraksionet, të gjithë votat, të gjithë opozitarizmin, të gjithë pakënaqësinë që është jashtëzakonisht e madhe ndaj kësaj qeverie, por është kthyer në përçarësin më të madh të një opozite që të paktën 3 dekada ne kujtojmë në jetën politike shqiptare. Gjë që i është shtuar pastaj të gjithë veprimeve të papërgjegjshme që vijnë përpara këtyre 8 muajve sigurisht që e bën pothuajse të pamundur që situata të ndryshojë. Ndaj edhe e kam përsëritur disa herë sa jemi ende në kohë dhe për sa kohë të gjithë mendojmë se ky vend ka nevojë për ndryshim ndoshta ia vlen për të bërë një sakrificë të vogël, të vetmen në jetë”, tha Topalli.

Kritika Bashës

Gjatë intervistës Topalli e ka theksuar disa herë se largimi i Bashës nga PD dhe nga pozicioni i kryeopozitarit do të ishte zgjidhja. Sipas saj duhet bërë kjo sakrificë, pasi sikurse u shpreh ajo, nëse Basha nuk largohet Rama fiton një mandat të tretë. “Nëse kërkojmë ndryshim dhe nëse duam një opozitë të bashkuar për të cilën ka shumë nevojë, që do të çonte në funksionin menjëherë në largimin e Edi Ramës, sigurisht që duhet një lider i pakorruptuar që jep besim dhe që është i vërtetë, për të sjellë ndryshim në vendin tonë. Është alfa dhe një kryetar dhe një njeri që ka zënë vendin e kryetarit të opozitës, është minimalja që mund të bëjë”, ka deklaruar Topalli. E pyetur nga gazetari nëse me deklaratat që dha ajo nënkupton që Basha është i korruptuar, Topalli u përgjigj se, nuk njeh asnjë lider tjetër opozite që t’i shtohen vilat vetëm pak kohë para zgjedhjeve. Sipas saj përballë një qeverie që është zhytur në skandale, ka një opozitë që është tërësisht e pabesueshme. “Nuk dua të flas për zërat e fundit që të gjithë i kemi lexuar në disa media e disa media të tjera e bojkotojnë tërësisht lajmin, unë nuk njoh një kryetar tjetër opozite, gjatë kësaj periudhe që në një vit përpara zgjedhjeve, të paktën edhe për sy edhe për faqe, t’i shtohen vilat në mënyrë progresive sa herë ndodh diçka, o tërmet, o pandemi etj. Pa bërë asnjë transparencë me një gjë të tillë. Unë nuk e kuptoj e as nuk e imagjinoj dot dhe as nuk ndodh, jo në Shqipëri s’ka ndodhur, por në asnjë vend të Ballkanit. Nuk besoj se ndodh edhe në Afrikë. Minimalisht duhet të bënte transparencë, të paktën përpara shqiptarëve. Prandaj përballë një qeverie që është zhytur në skandale, kemi një opozitë që është tërësisht e pabesueshme dhe e rremë”, tha ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here