Gjykata e Posaçme ka dënuar me dy vite burgim prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli, pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv”. Sipas burimeve, Spartak Çoçoli është arrestuar nga policia dhe prokuroria për akuzën e korrupsionit, pasi tentoi të lironte nga ambientet e policisë një makinë të bllokuar dhe pa letra. Ndërsa nga dënimi i gjykatës së Posaçme SPAK, me dy vjet burgim, i janë konvertuar nga gjykata në 4 vjet qëndrim shërbim prove. Sipas burimeve, gjatë dhënies së vendimit gjykata mësohet të ketë urdhëruar konfiskimin e 100 eurove të kapura prokurorit Çoçoli. Pas këtij vendimi, Çoçoli mësohet të ketë deklaruar se eurot i kishte me djersën e ballit dhe jo me korrupsion. Gjithashtu sipas burimeve, mësohet se dënimin me burg duhet ta vuajë edhe miku i tij sekseri Ernest Doro, i cili u dënua me 1 vit burgim, por ky dënim ju pezullua duke u vënë në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Mësohet se, po i njëjti vendim dënimi është dhënë dhe për të pandehurin tjetër Ervin Hysaj.
Dosja hetimore
Spartak Çoçoli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1991 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në janar 2019, Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit. Referuar dosjes hetimore, rezulton se në datë 14 janar 2019 ka filluar një hetim për akuzën e “Korrupsionit aktiv, ndaj gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Gjatë hetimit ka rezultuar e provuar se në datën 24 dhjetor 2018 Ernest Duro, nga Këlcyra mësohet të ketë bërë një kallëzim penal për akuzën e Kanosjes me armë në ngarkim të një personi të paidentifikuar prej tij, me moshë rreth 20 apo 22 vjeç, i cili kishte në përdorim një automjet tip “Benz” me targa angleze LPS 54 YR. Gjatë hetimeve të kryera, ka rezultuar se personi që ka kanosur me armë Ernest Duron, është pikërisht i pandehuri Ervin Hysaj. Ndërsa Prokuroria e Gjirokastrës po hetonte këtë rast, gjatë një bisede telefonike në datën 14 janar 2019 rezulton se midis këtyre dy personave po tentohet të sigurohen një shumë parash me qëllim korruptimin e prokurorit të çështjes Spartak Çoçoli dhe me qëllim që ky i fundit të kthente makinën e sekuestruar dhe pushonte dosjen penale. Në këto rrethana është vijuar ndjekja e prokurorit Spartak Çoçoli dhe më pas është vijuar përgjimi i bisedave që ai bënte me dy personat e tjerë Ervin Hysaj dhe Ernest Duro. Referuar hetimeve është provuar se Duro ka kryer biseda me prokurorin duke i dorëzuar dhe shumën prej 100 euro, madje në telefon i thërret atij në mënyrë miqësore me emrin e shkurtuar “Taku”. Referuar po hetimeve, pas marrjes së shumës prej 100 euro, prokurori Spartak Çoçoli urdhëron kthimin e makinës së sekuestruar tek pronari Ervin Hysaj, i cili ndiqej penalisht nga prokuroria për akuzën e “Kanosjes me armë”. Ndërkohë bashkë me lekët ishte dorëzuar dhe një deklaratë noteriale nga ana e Duros, që tregonte se ai ishte pajtuar me Hysajn dhe sëbashku ishin bërë miq. Makina me targa angleze është kthyer nga prokurori Çoçoli pa kryer asnjë verifikim mbi pronësinë e këtij mjeti. Pavarësisht urdhrit të prokurorit, makina vijon të jetë e bllokuar në polici, pasi agjentët që ndiqnin në teren prokurorin dhe dy personat, kanë ndërhyrë duke sjellë arrestimin e tyre. Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit.



































