Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në datën 25 prill të vitit të ardhshëm, po vijon puna për ngritjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të ketë një strukturë tërësisht të re. Kuvendi në datën 29 gusht shpalli njoftimin duke ftuar të interesuarit të aplikojnë për vendet vakante për KQZ e re, që do të ketë në përbërjen e vet Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve, Nënkomisioner Shtetëror të Zgjedhjeve, 5 anëtarët të Komisionit Rregullator dhe 5 anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Që prej asaj dite, vetëm dy kandidatë kanë shprehur interes për të qenë pjesë e KQZ. Kështu, kandidati i parë për pozicionin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është juristi profesionist Av. Prof. Asc. Dr. Naim Mëçalla, dekan në një universitet. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Ai zgjidhet nga Kuvendi me mandat 7-vjeçar. Ndërsa kandidatja e dytë që ka shfaqur interes për KQZ e re që do të formohet është Redinela Beqiraj. Kjo e fundit ka aplikuar për pozicionin e Komisionerit të Ankimimit. Kandidatët kanë afat që të aplikojnë pranë Kuvendit deri në datën 18 shtator. Më pas do të jetë një Komision i Posaçëm që do të ngrihet e që do të bëjë përzgjedhjen e 12 anëtarëve të rinj që do të përbëjnë KQZ-në e re.
Ruçi thirrje partive politike
Ndërkohë që edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi në Konferencën e Kryetarëve, e cila u mblodh dje online, ka kërkuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm që do të zgjedhë 12 anëtarët e rinj të KQZ-së. Por përmes një letre, kryeparlamentari u ka kërkuar partive politike që të propozojnë anëtarët e KQZ-së së re, duke iu lënë afat deri në 9 shtator. Letra i ka shkuar edhe opozitës jashtëparlamentare, e cila sipas ndryshimeve të bëra në Kodin Zgjedhor do të ketë përfaqësuesin e saj në këtë Komision të Posaçëm për ngritjen e KQZ-së së re. Opozita jashtëparlamentare duhet të paraqesë propozimin e saj deri më 11 shtator. Ruçi u ka dërguar letër edhe 3 kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend, Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku, për propozimin e 2 anëtarëve, të cilët do të jenë përfaqësuesit e tyre në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për ngritjen e KQZ-së së re. Atyre u është lënë afat deri më 10 shtator që të paraqesin propozimet e tyre për 2 emrat e anëtarëve që do përfaqësojnë opozitën parlamentare në Komisionin e Posaçëm.
Përzgjedhja e anëtarëve për Kolegjin Zgjedhor
Ndërkohë që ditën e sotme do të përzgjidhen përmes shortit edhe 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Përmes një njoftimi të shpërndarë për media, KLGJ ka ftuar partitë politike që të bëhen pjesë e kësaj përzgjedhje. “Këshilli i Lartë Gjyqësor mbështetur në nenin 146 të Kodit Zgjedhor (i ndryshuar), si dhe në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11700, datë 06.09.2020 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin” do të organizojë, ditën e martë, datë 8 shtator 2020, ora 17:00, pranë ambienteve të tij, në adresën Godina “Poli i Drejtësisë”, hedhjen e shortit për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Shorti do jetë i hapur dhe në prani të publikut, përfaqësuesve të KQZ, partive politike, organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe drejtësisë””, thuhet në njoftimin e KLGJ. Për 8 vendet vakante në Kolegjin Zgjedhor kanë aplikuar 16 persona. Mes emrave edhe ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, aktualisht anëtar i Gjykatës Administrative të Apelit. Emrat e tjerë që do të garojnë për t’u bërë pjesë e gjykatës së zgjedhjeve janë Manjola Xhaxho, Gentian Medja, Sokol Ibi, Klodiana Mema (Veizi) dhe Margarita Buhali. Lista e emrave që do të garojnë vijon me Asim Vokshi, Artur Kalaja, Enton Dhimitri, Alma Kolgjoka, Emona Muçi, Eriol Roshi, Edlira Petri, Ornela Naqellari, Esmeralda Çeka (Xhili) dhe Rexhep Bektheshi.
































