Sistemi i drejtësisë vijon të jetë i asfiksuar. Kështu, shkarkimi i gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, përveç dërgimit të tyre në prag kolapsi, ka ngjallur edhe një tjetër problem, sikundër është mbetja e dhjetra vendimeve gjyqësore të pazbardhura. Alarmin e ka dhënë ditën e djeshme kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, i cili gjatë një prononcimi për mediat zbuloi dje se vendimet e shpallura pak para se gjyqtarë të caktuar të shkarkoheshin, sipas tij, kanë mbetur në sirtarë të paarsyetuar. “Kemi me dhjetra dhe qindra persona që ndodhen në paraburgim me statusin e të dënuarit, të cilët mund të kenë ngelur edhe 5 ditë, 10 ditë, 1 muaj, por nuk po arrijnë dot të lirohen apo të përfitojnë çdo lloj dënimi, derisa nuk kanë një vendim të formës së prerë, vendim që e jep Gjykata e Apelit. Pavarësisht se sot mund të ketë një handikap, ku gjyqtarët pretendojnë se mund të jenë larguar nga sistemi i drejtësisë. Vërtetë mund të jesh larguar nga sistemi i drejtësisë, por vendimet duhet që ata t’i dorëzojnë të arsyetuara”, deklaroi ai. Më tej kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë u shpreh se gjyqtarët në fjalë po kryejnë një vepër penale: “Jemi në kushtet e një figure të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Herët apo vonë, të gjithë duhet të ngremë zërin”, u shpreh ai. Ndërkohë avokat Visha ka një thirrje për ta, ndërsa iu kërkoi që të rikthehen e të dorëzojnë dokumentacionin, në mënyrë që sipas tij, të zbardhen dosjet që të evitohet thellimi i ngërçit. “Të gjithë gjyqtarët që janë larguar duhet të rikthehen, të dorëzojnë dosjet, pasi, përveçse kanë një pagesë kalimtare si të shkarkuar derisa të dalë vendimi i formës së prerë për veten e tyre, por i kanë sjellë dëm interesave të shtetit dhe interesave të individit”, nënvizoi kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj. Sipas ligjit, mosarsyetimi i vendimeve të gjykatës, mund të çojë deri në pavlefshmërinë e tyre. Gjykatat e Apelit po vuajnë së tepërmi boshllëkun e krijuar në sistem nga procesi i veting-ut. Në mbledhjen e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor do të shqyrtojë projekt-vendimet për verifikimin plotësimit të kushteve për 5 kandidatë për në Apelin e Tiranës, 3 për Apelin e Durrësit dhe një të Korçës. Kjo do të thotë që deri në emërimin e tyre do të nevojiten së paku më shumë se 3 muaj kohë.










































