Ndizet lufta brenda Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka nisur një proces përzgjedhje për kandidatët në zgjedhjet e ardhshme dhe ishte Genc Ruli, ai i cili dha sinjale se Berisha mund të mos rikandidojë. Ai u shpreh se ka ardhur koha që ai të largohet nga politika. Por dje Berisha ka reaguar për herë të parë duke e sulmuar publikisht në një intervistë televizive. Nga ana tjetër Berisha deklaroi se derisa të ndahet nga kjo botë do jetë në Parlament. “Genc Ruli është një burrë i mençur, por ndonjëherë viktimë e mençurisë së tij. Ai ka thënë dy gjëra elementare që nuk afrohen kurrë me njëra tjetrën. Ngatërron karrierën me betejën. Për karrierë Berisha i ka dhënë fund një herë e përgjithmonë më 26 qershor 2013. Të mendosh se një njeri që ka pasur 1, 2, 3 funksione qëndron deputetë për karrierë kjo është jashtë arsyes. Beteja është tjetër. Beteja ka vazhduar dhe do vazhdojë deri në realizimin e qëllimeve të PD. Prandaj thashë Ruli është burrë i mençur, por ndonjëherë… Unë do vazhdojë betejën derisa të arrihet qëllimi. Nga beteja nuk do të tërhiqem kurrë”, tha ai. I pyetur se përse nuk kandidon përballë Ramës në Durrës, ai tha: “Unë jam në betejë në pozicionim tim. Nuk jam unë në krye të betejës, por të tjerët. PD sot ka figura krejt të tjera që janë yje në ngjitje, unë jam në pozicionin tim”.
































