Kuader i ri ligjor/Bizneset me qarkullim deri në 8 mln lekë nuk do derdhin të ardhurat në buxhetin e shtetit

0
280

Situata me të cilën po përballet vendi ynë, si rezultat i epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, e ka bërë të nevojshme krijimin e një kuadri ligjor lehtësues për ata tatimpagues të cilët përballen me vështirësitë më të mëdha nga kjo situatë. Për këtë qëllim, qeveria shqiptare është përpjekur maksimalisht të krijojë mundësinë për lehtësimin e kostove për bizneset duke ndërmarrë iniciativa ligjore me qëllim arritjen e këtij objektivi. Kështu së fundmi janë bërë disa ndryshime në ligjin për “Për sistemin e taksave vendore”. Në ligjin aktual shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lekë është 5%, me ndryshime kjo normë do të zerohet. “Me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit objekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim, deri në 8 milionë lekë të mos tatohen, pra norma e tatim fitimit të jetë në shkallën 0%. Nga kjo lehtësi fiskale do të përfitojnë rreth 5 311 subjekte”, thuhet në relacion. Ndër të tjera sipas relacionit, kjo kategori biznesesh nuk do të derdhin të ardhura në buxhetin e shtet dhe as nuk do të bashkëpunojnë në kontribute të tilla, përkatësisht ndryshojnë ligji 18 dhe 19. “Neni 6 i projektligjit përcakton se neni 18 “Transferimi i të ardhurave në llogaritë e njësive të qeverisjes vendore dhe në buxhetin e shtetit dhe komisioni i agjentit tatimor” dhe neni 19 “Bashkëpunimi”, shfuqizohen. Neni 7 i projektligjit parashikon se ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021”, theksohet në relacion. Gjithsesi vlerësimi i efekteve të ndryshimeve të mësipërme do vazhdojë të bëhet, prandaj bizneset do të duhet të dorëzojnë deklaratat me të ardhurat vjetore deri në 10 shkurt të 2021. “Neni 4 i projektligjit parashikon se, çdo tatimpagues objekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël është i detyruar që deri më 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, si dhe çdo hollësi tjetër e përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore”, shpjegon relacioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here