Akuzohen për shpërdorim detyre/ Dërgohet për gjykim ish-kryebashkiaku i Kuçovës dhe dy ish-zyrtarë, zbardhet dosja

0
386

Ish-kryebashkiaku i Kuçovës dhe dy ish-zyrtarë të tjerë janë dërguar dje për gjykim pasi akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Sipas burimeve, Bardhyl Gjyzeli, kryetari socialist nën drejtimin e bashkisë së Kuçovës në vitet 2011-2015, është dërguar për gjykim për “Shpërdorim Detyre” në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Berat, së bashku me Drejtorin e Urbanistikës, Gentjan Islami dhe inxhinierin urbanistik, Gjergji Çërra edhe këta në detyrë gjatë atyre viteve dhe të akuzuar për të njëjtën vepër penale. Mësohet se bashkë me ta në këtë dosje penale është edhe një qytetar nga Kuçova, Arben Bilbili, i cili akuzohet për “Falsifikim Dokumentesh” dhe “Deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore”. Sipas burimeve, procedimi penal me nr.806, në ngarkim të këtyre të pandehurve, ndodhet prej disa ditësh në Gjykatën e Beratit, ku pritet tashmë hedhja e shortit dhe fillimi i gjykimit ndaj tyre. Mësohet se, kallëzimi penal ndaj ish-zyrtarëve të Bashkisë Kuçovë dhe ndaj shtetasit Arben Bilbili ka filluar në datë 17 Shtator 2019, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë e Rrethit të Beratit nga dy qytetarët e Kuçovës, nënë e bir, Merjeme dhe Ervin Bilbili.
Dosja e hetimeve
Referuar dosjes së hetimeve, ish-kryebashkiaku i Kuçovës, Bardhyl Gjyzeli, Drejtori i Urbanistikës, Gentjan Islami dhe inxhinierin urbanistik, Gjergji Çërra akuzohen për dhënien e lejes së ndërtimit të një objekti dy katësh rreth 5 vite pasi ndërtimi kishte përfunduar. Kallëzimi penal ndaj ish-zyrtarëve të Bashkisë Kuçovë dhe ndaj shtetasit Arben Bilbili ka filluar në datë 17 Shtator 2019, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë e Rrethit të Beratit nga dy qytetarët e Kuçovës, nënë e bir, Merjeme dhe Ervin Bilbili. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, rezulton se leja e ndërtimit është nxjerrë nga Bashkia e Kuçovës, pasi kishte përfunduar ndërtimi i objektit dhe se i gjithë dokumentacioni ku janë bazuar për të nxjerrë këtë leje është fallso. Referuar po dosjes penale thuhet se në vitet 1992-1993 Merjeme Bilbili dhe bashkëshorti i saj Myfiti, që vdiq disa vite më vonë, kur të gjithë filluan të ndërtonin pa leje, kanë ndërtuar familjarisht një objekt në lagjen “Tafil Skëndo”, me funksion shërbimi “bar-kafe”. Më pas, ata mësohet të kenë ngritur edhe katin e dytë të ndërtesës që ka përfunduar në vitet 1995-1996, duke menduar se do të fillonin proceset që të pajiseshin me dokumentacion të rregullt ligjor. Më pas në vitin 2004, ata mësohet të jenë njoftuar nga Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Kuçovës në lidhje me mbledhjen që do të zhvillohej, ku do të diskutohej pajisja me dokumente e ndërtimeve që kishin bërë. Sipas burimeve, pas këtij njoftimi, ata ishin në pritje për të bërë dokumentacionet e duhura, por në vitin 2005 lajmërohen nga Bashkia Kuçovë se personi i identifikuar me emrin Arben Bilbili kishte aplikuar për “regjistrim prone”, ku pjesë e dosjes është edhe leja e ndërtimit nr.34, Dt.16.04.2008 dhe leja e përdorimit nr.312. Dt 27.02.2015. Në vijim të hetimeve të kryera, pas rreth 9-muajsh hetimesh, prokurori Tasim Puci ka konkluduar se ekzistojnë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se të akuzuarit Bardhyl Gjyzeli, Gentjan Islami, Gjergji Çërra dhe Arben Bilbili kanë konsumuar elementet e veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Duke iu referuar parashikimit të nenit 248 i Kodit Penal, personi i identifikuar me emrin Arben Bilbili ka konsumuar elemente të veprave penale: “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Deklarimi i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 186/1 dhe 305/b të Kodit Penal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here