Kreu i shtetit Ilir Meta ka vizituar Derviçanin, ku ka vlerësuar tre personalitete të minoritetit grek me kontribut të shquar në fushën e sportit.
Fillimisht Kreu i Shtetit u prit nga autoritetet vendore, përfaqësues politikë, dhe dhjetëra banorë të zonës, sipas traditave të spikatura të minoritetit, me këngë e valle polifonike në gjuhën greke.
Pas përshëndetjeve tepër të përzemërta, Presidenti Meta vendosi një buqetë me lule në bustin e futbollistit të shquar të Ekipit tonë Kombëtar, Lefter Millo, si dhe vizitoi ambientet e qendrës sportive që mban emrin e tij, ku u takua me talentet e reja sportive, të cilët i inkurajoi të ecin në gjurmët e legjendës së futbollit.
Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Derviçanit, ku merrnin pjesë autoritete vendore, përfaqësues politikë të minoritetit grek, si edhe dhjetëra banorë, Presidenti Meta vlerësoi Lefter Millo (pas vdekjes) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Si një prej talenteve më të shquara të futbollit shqiptar, i cili shpalosi në fushën e blertë aftësi dhe cilësi të spikatura si mesfushor me tipare sulmuese. Ai demonstroi në mënyrën më sipërore përsosmërinë teknike, forcën dhe energjinë e jashtëzakonshme, si dhe sedrën sportive me fanellën e Ekipit Kombëtar Shqiptar, ‘Luftëtarit’ dhe ‘Partizanit’, dhe së fundi, me ekipin grek të Larisës. Thjeshtësia dhe sjellja e tij e kulturuar ishin tipare që e lartësonin edhe më tej emrin e tij si futbollist i madh”.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit nderoi Kristo Ndrico me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në fushën e sportit, pjesë e Ekipit Kombëtar Shqiptar të volejbollit. Falë aftësive të shumanshme dhe talentit të veçantë ngelet një nga pedagogët dhe drejtuesit e shquar të arsimit në Gjirokastër, si dhe një ndër publicistët më të dalluar në median e shkruar shqiptare”.
Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, Presidenti Meta vlerësoi Sokrat Papadhopulli “Për kontributin dhe angazhimin e tij të shquar në jetën publike si mësues i talentuar, gazetar i përkushtuar dhe intelektual i njohur. Kronikani plot pasion i jetës sportive dhe botues i shumë artikujve e librave të historisë së sportit gjirokastrit, si dhe themelues e drejtues i ekipeve të pingpongut në Gjirokastër”.