Zbardhet urdhri i Ministrisë së Drejtësisë për izolimin e të burgosurve që do t’i nënshtrohen sistemit “41 bis”. Gazeta ka siguruar urdhrin e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ka vënë në zbatim rregullat e reja ku të izoluarve në 41 bis u ndalohet të marrim ushqime nga familjarët, u lejohet vetëm një takim në muaj me familjarë të afërm vërtetuar me certifikatë të regjistrit të gjendjes civile dhe një telefonatë e regjistruar jo më shumë se 10 minuta. Po ashtu, të burgosurit që do i nënshtrohen këtij regjimi do të jenë në dhoma teke me një hapësirë prej 6 metra katrorë dhe do të kenë në dispozicion ushqimin e burgut me tre vakte dhe 150 litra ujë në ditë. Ata do të monitorohen 24 orë me kamera dhe nuk do të kenë televizor apo radio. Por nga ky izolim, “të fortëve” do u kufizohen edhe takimet me familjarët apo telefonatat. Sipas urdhrit, ata persona të cilët nuk kanë pasur asnjë takim përgjatë një muaji, do të kenë të drejtë për të kryer një telefonatë me një nga numrat që ka regjistruar. Por kjo telefonatë do të zgjasë vetëm 10 minuta dhe do të regjistrohet. Në pikën 8 të kësaj rregullore është përcaktuar edhe ndriçimi i dhomës, ku çelësi për të fikur apo ndezur dritën ndodhet jashtë dhomës dhe do të komandohet nga rojet e burgut dhe jo i dënuari apo i paraburgosuri. Çdo i izoluar në 41 bis mund të kontrollohet nga mjeku i institucionit ndërsa në rast se kërkon një mjek privat ai do duhet ta paguajë me shpenzimet e veta, por përpara kësaj do duhet të plotësojë një kërkesë dhe të dokumentohet nevoja për praninë e mjekut privat. Në rast të një situate pamundësie për kurim në spitalin e burgut të izoluarit në regjimin 41 bis kanë të drejtë të shkojnë në klinika të specializuara, por prenotimi i vizitës dhe orari lëvizjes mbahen sekret mes drejtuesit të shërbimit shëndetësor dhe drejtuesit të burgjeve. Ndalur tek siguria dhe rendi përveç punonjësve të specializuar të burgjeve që do të jenë vetëm për këta sektorë të veçantë është planifikuar sipas një marrëveshje të burgjeve me Policinë e Shtetit dhe përdorimi i reparteve speciale si FNSH dhe RENEA. Vetë efektivët e burgjeve të cilët do të punojnë përgjatë 24 orëve në këtë regjim do të kontrollohen për çdo hyrje dalje, me kontroll fizik apo pajisje për çdo send të palejueshëm që tentojnë të fusin në këto ambiente. Ky urdhër tashmë ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet në regjimin e posaçëm 41 bis në paraburgimin 313 dhe burgun e sigurisë së lartë në Peqin.