Sokol Sadushi ka marrë frenat e Gjykatës së Lartë. Pak kohë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor pas kërkesës së presidentit Ilir Meta shkarkoi Ardian Dvoranin nga Gjykata e Lartë. Ky i fundit, i cili mbante postin e zëvendëskryetarit në këtë gjykatë, por ushtronte kompetencat e kryetarit, i kishte përfunduar mandati i tij kushtetues, por vijonte të qëndronte në detyrë deri në momentin që të vinte zëvendësuesi. Pak kohë më parë, Meta dekretoi 3 emrat e rinj për në Gjykatën e Lartë, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, por asnjëri prej tyre nuk zëvendësonte mandatin e Dvoranit. Por pavarësisht këtij fakti, Dvorani u shkarkua mes debatesh dhe mosmarrëveshjesh nga ana e anëtarëve të KLGJ. Por vendi i zëvendëskryetarit që u la bosh nga Dvorani u zëvendësua nga Sokol Sadushi. Pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për kandidaturën e paraqitur, në prani të 3 gjyqtarëve dhe të 4 ndihmësmagjistratëve të komanduar dhe me të drejtë vote u zgjodh me unanimitet me 7 vota Sokol Sadushi në postin e zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë. “Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi më datë 7.7.2020 procedurën për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të kësaj gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për kandidaturën e paraqitur, në prani të 3 gjyqtarëve dhe të 4 ndihmësmagjistratëve të komanduar dhe me të drejtë vote, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit. Në përfundim, rezultoi i zgjedhur me unanimitet me 7 vota, Z. Sokol Sadushi, si zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin për media.
Ja detajet
Me zgjedhjen e Sokol Sadushit si zëvendëskryetar, me të drejtë ligjore ai do të ushtrojë edhe kompetencat e kryetarit, deri në momentin e zgjedhjes së tij. Sadushi plotësonte kushtet që janë të përcaktuara në Kushtetutë. Ai ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese për plot 13 vite dhe për 6 vite ka qenë drejtor i Shkollës së Magjisraturës. “Pas 13 vjet përvoje profesionale si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, z. Sadushi ka gëzuar, sipas ligjit përvojën profesionale edhe si gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Për afro 6 vjet ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, funksion i cili, sipas nenit 250, pika 3 e 4 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, barazohet me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe “njihet si periudhë vjetërsie në punë, si gjyqtar, për efekt të kërkesave të karrierës profesionale”. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sadushi i sapozgjedhur në detyrën e Zëvendëskryetarit do të ushtrojë kompetencat e Kryetarit, referuar nenit 26 pika 2 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH””, thuhet në njoftimin për media.
































