Ekspertët e çështjeve zgjedhore dhe kushtetuese i paraqitën këtë të mërkurë deputetëve opinionin e tyre për ndryshimet kushtetuese.
Ilir Rusmajli, kryetari i komisionit të ligjeve për shumë vite, si dhe njeriu i Partisë Demokratike në shumë reforma zgjedhore, përkrah idenë e heqjes së koalicioneve.
Sipas tij sistemi nuk duhet hequr nga kushtetuta dhe listat e hapura kanë disa efekte negative.
“Në Shqipëri koalicioni është zhvilluar në formën e një bashkimi fluid interesash, i cili synon te reduktoje ofertën politike Koalicioni me listë të përbërë, për shkak të formulës së adoptuar shkakton në çdo zgjedhje transferim të votës nga një parti tek një tjetër, nga qindra në mijëra por asnjëherë irrilevante. Transferimi është modifikim, pra tjetërsimin i vullnetit të zgjedhësve”.
Rusmajli shtoi se “ftesa për të hequr sistemin nga kushtetuta është ftesë për ta bërë diskutimin permanent. Diskutimi për sistemin nuk mund të jetë pjesë e përditshmërisë politike, rregulli i politikës do që duhet të ndryshohet rrallë, është mirë që ngurtësia të ruhet”.