Partia Socialiste ka ndezur motorët e fushatës. Në prill-maj do të jenë zgjedhjet e reja dhe kryeministri Edi Rama ka marrë vetë situatën në dorë. Shefi i qeverisë ka pasur dje një takim për afro 6 orë me një pjesë të deputetëve, ku ka dhënë direktiva mbi përgatitjet për zgjedhje. Sipas burimeve, takimet janë bërë në bazë të qarqeve që mbulon secili. Çdo deputet ka dhënë llogari para shefit të qeverisë, ndërsa po ashtu ka marrë detyrat që duhet të realizojë për përgatitjen e zgjedhjeve. Kryeministri Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme dhe për të mbajtur dy palë zgjedhje. Sipas informacioneve, ai ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në prill-maj të 2021, ndërsa ka thënë hapur se nuk ka shanse që të ketë zgjedhje për pushtetin vendor. Rama ka deklaruar se kryebashkiakët do e mbajnë detyrën deri në vitin 2023 dhe ka hedhur poshtë çdo aludim nga ana e PD dhe LSI se ata do të dorëhiqen. Po ashtu shefi i qeverisë ka thënë se do i kërkohet presidentit që të hapë garën për zgjedhje në bashkitë ku mungojnë krerët e bashkive. Nga ana tjetër është diskutuar dhe për reformën zgjedhore. Rama ka deklaruar se drafti i 5 qershorit nuk sjell asgjë, por e gjithë kjo u bë për të plotësuar kushtet e PD. Po ashtu kryeministri ka thënë se nuk e mbështet idenë e listave të hapura. Ai kë thënë se negociatat me opozitën parlamentare do të vijojnë, por është shprehur se PS nuk do të tentojë të trafikojë vota për të kaluar draftin e 5 qershorit. Nga ana tjetër kryeministri është ndalur te heqja e koalicioneve. Rama ka thënë se e mbështet idenë për të eliminuar koalicionet parazgjedhore. Sipas tij, me këtë lloj skeme secila parti tregon sa vlen para popullit dhe pastaj le të vendoset pas zgjedhjeve se si do të jetë skema e qeverisë. “Të vijohet me punën në terren, të jeni pranë njerëzve në këtë kohë pandemie. Deputetët tanë nuk mund të jenë me pushime në fundjavë. Duhet të jeni në terren. Të mos shkëputemi me njerëzit. Të mos kemi pushime. Duke qenë se shifrat e pandemisë nuk duken mirë, nuk duhet të fshihemi pas tyre për të mos shkuar në terren. Unë nuk besoj te listat e hapura. Por ky është mendimi im personal. Këtë do ta diskutojmë në Parlament. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe sistem nuk i bëjmë dot vetëm. Duhen votat e opozitarëve”, ka thënë Rama.
Përgatitjet për zgjedhje
Kryeministri u ka dhënë një sërë detyra të vetëve, duke kërkuar që çdo deputet, kryetar partie në degë, kryebashkiak apo ministër tani duhet të fokusohet te zgjedhjet. Sot do ketë një takim me pjesën e mbetur të deputeteve dhe me krerët e bashkive në vend. PS duket se do të tentojë një mandat të tretë, duke thyer kështu “paktin” që ka ekzistuar deri më tani ku çdo tetë vite ndryshonte pushteti. Për këtë arsye të gjithë do të jenë në test. Madje kryeministri ja u ka bërë të qartë se ata krerë degësh që nuk kanë realizuar objektivat mund edhe të lëvizin, ndërsa ka kërkuar që të gjithë të zbresin në terren dhe të testojnë anëtarësinë. PS ka nisur sondazhet dhe i ka identifikuar pikat e saj të dobëta dhe për këtë arsye atje ku ka një rrudhje të elektoratit PS do të jetë e fokusuar. Kohët e fundit PS ka nisur takimet në bazë. Në shumë qarqe janë mbledhur Asambletë dhe kanë nisur analizat e situatës. Në fund të korrikut do të mbahet dhe Asambleja e Përgjithshme ku dhe aty do të ketë zhvillime. Pritet që të kemi ndryshime në radhët e sekretarëve dhe të gjithë strukturave përbërëse të partisë. Ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia dhe e lëvizjeve në qeveri. Pra PS nga tani e tutje të gjithë vëmendjen do e ketë te zgjedhjet.
































