Pas dështimit të dëgjesës publike ditën e djeshme, banorët që preken nga projekti i rindërtimin kanë dalë ditën e sotme sërish në protestë, ku kërkojnë një takim me kryetarin e komanduar të Bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj.
Ato nuk lejojnë shembjen e banesave dhe bizneseve të tyre, për dy arsye. Së pari shprehen se nga akt-ekspertimi është konstatuar se nuk janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe se dyti shprehen se nuk u është dhënë një përgjigje konkrete se çfarë do të ndodh me ta, nëse do të kompensohen me një tjetër shtëpi apo do të dëmshpërblehen.
Tensionet janë shtuar në mungesë të një përgjigje nga ana e zyrtarëve të Bashkisë, protestuesit kanë tentuar që të hyjnë me forcë në zyrat e Bashkisë. Uniformat blu nuk kanë lejuar një gjë të tillë, çka ka shkaktuar disa momente tensioni mes policisë dhe banorëve. COVID-19 duket se nuk ekziston fare, ku protestuesit nuk janë të pajisur me maska, e as nuk ruajnë distancën e sigurisë.