Pas paqes me Metën hapet rruga për ndryshime drastike/ Rama gati të ndryshojë ekipin për të marrë mandatin e tretë, Asambleja Socialiste e korrikut me surpriza

0
327

Qetësimi i ujërave mes mazhorancës dhe Presidencës ka hapur rrugën e ndryshimeve në qeveri. Që pas përplasjeve për Gent Cakajn dhe Sandër Lleshajn, shefi i qeverisë ka frenuar lëvizjet në kabinet pasi ekzistonte rreziku për bllokim nga ana e kreut të shtetit. Meta mund të fuste në kaos qeverinë sikundër ka ndodhur me kabinetin e Fatos Nanos, por kohët e fundit ujërat janë qetësuar dhe sipas burimeve të gazetës, shefi i qeverisë nuk është çudi që të dalë me emra të rinj. Mazhoranca po përgatitet për zgjedhje dhe ka paralajmëruar se do të synojë një mandat të tretë. Teksa nga njëra anë BE kërkon realizimin e kushteve dhe nga ana tjetër kërkohet që të thyhet tabuja e 30 viteve e mandatit të tretë, padyshim që duhen forca të reja. Burime të gazetës në Selinë Rozë flasin se shefi i qeverisë ka filluar të mendojë për rifreskimin e kabinetit.

Situata në qeveri

Nëse bëjmë një panoramë të situatës, duket se punët nuk po ecin mirë në kampin qeverisës. Koronavirusi po e fut në kolaps vendin dhe Ministria e Financave nuk është se ka shkëlqyer fort në menaxhimin e situatës. Për hir të së vërtetës, ministri Arben Ahmetaj ka bërë punën më të madhe të saj, si me rindërtimin, ashtu dhe me pandeminë. Një dikaster tjetër që çalon është Ministria e Jashtme, marrëdhëniet mes kryeministrit dhe Gent Cakajt janë ftohur ndjeshëm. Kryenegociator për integrimin u caktua Zef Mazi, ndërsa në ceremoninë e prezantimit Cakaj u la në hije. Gjatë gjithë muajve të fundit ai ka qenë në heshtje, ndërkohë që duhet theksuar se nuk ka mandat zyrtar. Sektor tjetër që po has mjaft probleme është arsimi. Protestat e studentëve sollën largimin e Lindita Nikollës. Ndërkohë edhe pasardhësja e saj po përballet me shumë vështirësi, pasi maturantët protestojnë, studentë po ashtu dhe nuk është se kemi diçka të re në arsim. Drejtësia dhe rendi po ashtu nuk është se po ecin si duhet. Reforma në drejtësi po has shumë pengesa dhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë duket një tërheqje e madhe. Ndërkohë edhe policia nuk po jep pritshmëritë që kishte. OFL nuk po nxjerr gjë në dritë ndërsa droga e vrasjet vijojnë të shtohen. Pra afrimi i zgjedhjeve, kushtet për negociata dhe eliminimi i pengesave nga ana e presidentit mund të sjellin zhvillime në ekzekutiv.

Të gjithë në skaner

Ashtu si çdo vit, edhe këtë vit gjatë verës kryeministri Edi Rama pritet të bëjë bilancin e punës për të gjithë ministrat. Vitet e shkuara ka pasur mbledhje për ditë me radhë në Jug apo vilën qeveritare në Durrës, ku secili ministër ka bërë bilancin e punës së tij, me arritjet dhe dështimet. Duhet theksuar se në gushtin e vitit që lamë pas, kryeministri u dha secilit nga një listë me prioritet që duhet të përmbusheshin deri vitin që vjen. Pastaj ajo që shton sinjalet se mund të kemi rokadë është se gjatë muajit korrik do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste. Kjo asamble do të jetë shumë e rëndësishme pasi në fokus do të jetë ndezja e motorëve për zgjedhje, por tradita ka treguar se shefi i qeverisë ndryshimet në kabinet i ka bërë në mbledhjet e Asamblesë. “Ne do të mbledhim asamblenë e përgjithshme për të cilën jemi duke u përgatitur qoftë në variantin online ose do të shkojmë në një sallë të madhe dhe të respektojnë distancën sociale. Duhet të vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm mbi këto protokolle sigurie anti-Covid. Ne si forcë politike po shohim për të mbledhur Asamblenë tonë Kombëtare që besoj se do ta kryejmë në fillim të korrikut për të vazhduar në dy struktura shumë të rëndësishme”, tha Arben Pëllumbi pak ditë më parë duke konfirmuar mbledhjen e Asamblesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here