Google search engine
Home Bota Rajoni Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak shpreh pakënaqësitë e mënjanimit: Dyshoj në marrëveshje pa përfshirjen...

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak shpreh pakënaqësitë e mënjanimit: Dyshoj në marrëveshje pa përfshirjen e BE-së

0
389

Askush nuk mund t’i ofrojë të ardhme europiane Kosovës, përveç BE-së, ndaj Unioni nuk mund të lihet mënjanë nga procesi i bisedimeve me Serbinë. Ky ishte qëndrimi i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitës në Prishtinë.

“Mendoj se kam qenë i qartë për rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kosova është në Europë dhe askush tjetër nuk mund t’i japë një të ardhme europiane Kosovës përveç BE-së. Një marrëveshje e mirë është marrëveshja që e sjell Kosovën dhe Serbinë më afër BE-së dhe nuk mendoj se një marrëveshje e tillë mund të arrihet pa praninë e BE-së”, -deklaroi Lajçak.

Lajçak tha se shtetet anëtarët të BE-së po dërgojnë një mesazh mjaft të qartë për angazhimin në Kosovë dhe Rajon. I dërguari i posaçëm i BE-së foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke mos dhënë ndonjë datë se kur pritet të ndodhë kjo.

Nga ana tjetër, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se takimi i 27 qershorit në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit në Uashington, është mundësi për zhvillim të ri dhe investime ekonomike.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se liderët në Kosovë dhe Serbi do ta shfrytëzojnë mundësinë e rikthimit në dialog dhe që të nisin një epokë të re të stabilitetit dhe mirëqenies. Njerëzit e këtij rajoni nuk meritojnë asgjë më pak – tha Grenell.

Presidenti i Kosovës Thaçi shpreson së takimi në Uashington mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti serb Vuçiç tha ditë më parë se temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here