Google search engine
Home Politike Drejtesi SPAK kundërshton në Gjykatën e Lartë rikthimin e Luan Dacit në detyrë:...

SPAK kundërshton në Gjykatën e Lartë rikthimin e Luan Dacit në detyrë: Argumentet e Apelit janë sipërfaqësore

0
321

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kundërshtuar në Gjykatën e Lartë vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të KPA-së, Luan Daci. SPAK i ka konsideruar argumentet e Apelit si sipërfaqësore dhe jo në përputhje me parashikimet e Kodit Penal për veprën e falsifikimit të dokumenteve. Prokurorët e SPAK pretendojnë se Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka marrë parasysh vlerën që pati dokumenti i aplikimit në procesin e përzgjedhjes së Luan Dacit, në kundërshtim me kriteret ligjore. Sakaq, Prokuroria e Posaçme e akuzon anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme si dhe mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997. Një masë sigurie për pezullimin nga detyra të Dacit u rrëzua nga trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara dhe Nertina Kosova, ndërkohë që gjyqtari Sokol Binaj ishte në minorancë. Sipas shumicës, mos-paraqitja, mos-shënimi apo mohimi i Dacit për masën disiplinore të largimit nga puna është një fakt që i mungon kundërligjshmëria. Gjithashtu, gjykata vlerësoi se hetimet e prokurorit nuk ishin zhvilluar mbi faktet e nevojshme, që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale të falsifikimit të dokumentit nga Daci, por me hetimet që lidhen me pozicionin e anëtarit të institucionit të rivlerësimit, që u janë ngarkuar me ligj institucioneve që kishin detyrë të përzgjidhnin anëtarët e institucioneve të rivlerësimit. Ndërkaq, SPAK argumenton se gjykata e trajtoi aplikimin e Dacit në kuptimin e ngushtë të paraqitjes së interesit, pa analizuar deklarimet e bëra nga ky i fundit në përmbajtjen e tij. SPAK thekson edhe parashikimet e përcaktuara në protokollin e procedurave të punës për vlerësimin se cili prej kandidatëve plotëson kriteret formale për institucionet rivlerësuese, duke vlerësuar se, bazuar në këtë protokoll, kërkesa e Dacit merr vlerë të veçantë dokumentare. Së fundmi, prokuroria i kërkon Gjykatës së Lartë që t’i tërheqë vëmendjen Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke konsideruar se në këtë mënyrë ndërhyn në kompetencat ekskluzive që ka prokurori gjatë hetimit paraprak.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here