Do vidhnin banesën e biznesmenit/ Policia shkatërron bandën e grabitësve, pranga 6 personave, mes tyre edhe një gardist

0
346

Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë pasi dyshohen se janë anëtar të një grupi të vendosjes së tritolit me qëllim vjedhjen. Pjesë e grupit ishte një gardist dhe një agjent kredie i një banke të një niveli të dytë. Ata u kapën në flagrancë duke vjedhur banesën e një biznesmeni në Tiranë, ndërsa akuzohen për vjedhje të ngjashme të kryera më herët. Sipas policisë personat e arrestuar vepronin mes tyre në formën e një grupi kriminal që merreshin me aktivitetin e vjedhjeve të banesave e bizneseve në kryeqytet, por dyshohen edhe për aktivitetin e vënies së tritolit, të porositura nga grupe të ndryshme kriminale që operojnë në kryeqytet. Mes të arrestuarve është dhe një punonjës garde dhe një agjent kredie në një bankë të nivelit të dytë. Në prangat e uniformave blu të kryeqytetit përfunduan Spartak Qoku; Petro Sava; Andi Kraja; Emel Hajdaraj; Klaudio Metaj dhe Aleks Kala. Ky i fundit i cili u arrestua dje nga policia është agjent kredie në një prej bankave të nivelit të dytë në Tiranë, ndërsa Aleks Kala, është punonjës i Gardës së Republikës. Goditja e grupit u finalizua gjatë tentativës për grabitjen e një biznesmeni në kryeqytet. Anëtarët e grupit e kishin menduar çdo gjë me detaje, ku secili anëtar kishte role të ndara, që nga gjetja e armëve, dhe tek informacionet për personat e pasur. Nga burimet bëhet me dije se Andi Kraja është një prej të arrestuarve, i cili është agjent kredie në një bankë të nivelit të dytë. Ai dispononte informacione lidhur me biznesmenin E. M, të cilët më pas synuan ta grabisnin. Kur grabitësit i mësynë shtëpinë ai i ka pikasur hajdutët, ndërsa ka njoftuar policinë. Anëtarëve të grupit iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë, veshjet e përdorura gjatë tentativës për vjedhje, një sasi municioni luftarak, dy automjete dhe 5 telefona celularë. Grupi i vendosjes së tritolit dhe vjedhjes së banesave dyshohet se kanë kryer një serë grabitjesh të tjera në kryeqytet. Konkretisht dyshohet se Spartak Qoku, dhe Emel Hajdaraj, në bashkëpunim me një shtetas tjetër janë autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit M. Sh., ngjarje e ndodhur në muajin prill 2020. Për gardistin Aleks Kala mësohet se është dhënë masa e pezullimit nga detyra, nga radhët e punonjësve të gardës. Pjesë e këtij grupi mësohet se është dhe Franc Halimi, i cili u arrestua gjatë operacionit “Eksplozivi”, si autor i vendosjes së një lënde plasëse në një lokal pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ngjarje e ndodhur më 11 qershor. Grupi dyshohet se ka kryer edhe vjedhje të tjera të ngjashme në muajt e mëparshëm në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim si pjesëtar i grupit dhe një 29-vjeçar.

Operacioni “Mozaiku”

Efektivët e komisariatit Nr. 2 në kryeqytet, ditën e djeshme finalizuan me sukses operacionin e koduar “Mozaiku”, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Frederik Shiroka”, persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin me armë në banesën e shtetasit me inicialet E. M., por nuk kanë mundur. Sipas policisë, informacioni për grabitjen është marrë nga të zotët e banesës. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni policia ka organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Pas hetimeve policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë: Një armë zjarri pistoletë, veshjet e përdorura gjatë tentativës për vjedhje, një sasi municioni luftarak, dy automjete dhe 5 telefona celularë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se të dyshuarit Spartak Qoku, dhe Emel Hajdaraj, në bashkëpunim me shtetasin E. K., i arrestuar më parë, janë autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit M. Sh., ngjarje e ndodhur në muajin prill 2020. Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here