Vrasja e George Floyd ndezi Amerikën dhe botën mbarë në protesta, edhe të dhunshme, kundër reagimit jo të drejtë të policisë ndaj personave me ngjyrë në SHBA.
Ndërsa videoja e Floyd bëri bujë, një tjetër video ka qarkulluar me momentet e fundit të 27-vjeçarit afro-amerikan Rayshard Brooks, i qëlluar për vdekje nga policia në Atlanta të SHBA-së.
Në video, shihet Brooks duke biseduar plotësisht i qetë me policët, por gjithçka ndryshon kur ata tentojnë t’i vënë prangat.
Brooksin e kishte zënë gjumi në veturën e tij të parkuar pranë një restoranti, duke bllokuar trafikun, gjë që është telefonuar policia për të intervenuar.
E kur e zgjuan, ai ka lëvizur veturën nga parkingu dhe është rikthyer për të fjetur në të. Megjithatë, policët insistonin t’i bënin testin e alkoolit, e kur u konstatua se ka konsumuar më shumë se që është e lejuar kur është pranë timonit, tentuan t’i vënë prangat.
Në video shihet se si i reziston arrestimit, dëgjohen britmat “mjaft rezistove”, ku më pas Brooks tenton të arratiset.
Videot e publikuara më poshtë shfaqin Brooksin që ia rrëmben elektroshokun policit dhe tenton të ikë nga vendi i ngjarjes, por kur ia kthen shpinën policisë qëllohet nga pas me dy plumba.
































