Prokuroria Speciale pritet që shumë shpejt të tregojë se reforma në drejtësi nuk ka qenë dhe aq dështim. Politika po mendon rishikimin e saj dhe kjo tregon se ka shumë të trembur, si majtas ashtu edhe djathtas. Nga ana tjetër kemi opozitën që sulmon SPAK herë pas here, edhe ky është një tregues se kjo prokurori nuk do të jetë ashtu si Krimet e Rënda. Gazeta ka mësuar nga burime konfidenciale se SPAK po kryen hetime të shumta në prapaskenë. Fokusi kryesor janë sigurisht krimi i organizuar, por në skaner janë dhe një sërë zyrtarësh, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, kryetarë bashkie e ministra, e ish-ministra. Por gazeta “SOT” ka mësuar se SPAK ka vendosur të vërë në punë “armën” më të rëndësishme, atë të përgjimit. Me ndryshimet e reja ligjore që janë bërë, të drejtën për të autorizuar përgjime nuk e ka më Prokurori i Përgjithshëm, por e ka Gjykata e Posaçme e Apelit. Sipas burimeve, pas normalizimit nga pandemia, kreu i SPAK, ka dërguar në gjykatë dhjetëra kërkesa ku ka kërkuar autorizim për të nisur përgjimet, kryesisht për disa grupe kriminale. Po ashtu mësohet se është kërkuar dhe zgjatja e afateve për përgjimet që janë në proces, duke qenë se gjatë pandemisë ka pasur vonesa. Bashkimi Europian një ndër kushtet kryesore për negociatat ka vënë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe SPAK është institucioni i vetëm që mund ta realizojë këtë kusht. Sinjalet janë se në fund të vitit mund të ketë zhvillime.
Angazhohet SHISH
Përveç prokurorëve dhe policisë gjyqësore, një rol të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar po jep edhe Shërbimi Informativ. Në raportin vjetor të këtij institucioni tregohet se ai po punon për luftën ndaj bandave dhe të korruptuarve, sidomos atyre në drejtësi.
“Korrupsioni (por edhe perceptimi mbi nivelin e tij) minon besimin e publikut te qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, cenon zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve, rritjen e qëndrueshme ekonomike, mbetet faktor me rrezikshmëri të lartë që ngadalëson dhe dëmton procesin e reformave për arritjen e standardeve drejt integrimit europian, si dhe dekurajon investimet e brendshme e të huaja, të nevojshme për të krijuar mundësi punësimi për të gjithë. Megjithë hapat pozitivë në luftën kundër korrupsionit, fokusit të shtuar të shtetit në kuadër të reformave dhe nismave konkrete në këtë drejtim, kjo dukuri vijon të shfaqet problematike në sistemin e drejtësisë dhe disa segmente të administratës publike”, thuhet në raportin e SHISH.
Detajet e ligjit
Në dhjetor të vitit 2016 u bë miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”. Sa i takon ligjit për përgjimet, risia është se ka ndryshime kompetencash. Deri në 2016 ishte Prokurori i Përgjithshëm ai që vendoste gjithçka, pasi kishte bërthamën e pajisjes së përgjimit. “Prokuroria kompetente paraqet kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike të komunikimit ose video survejimeve të fshehta në vende publike dhe private tek kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose në mungesë të tij tek zëvendëskryetari. Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose në mungesë të tij, zëvendëskryetari pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim për përgjim, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike te komunikimit”, thuhet në ligj.








































