Mijëra persona e kanë kërkuar për rreth 10 vjet, por pa sukses. Thesari i fshehur nga koleksionisti amerikan i arteve Forrest Fenn në malet e thepisura, një sënduk i artë plot me gurë të çmuar smeralde, diamante dhe objekte antike për një vlerë prej 1 milion dollarësh, dukej e pamundur të gjendej. Deri tani.
Koleksionisti 89-vjeçar i arteve mori një foto dhe e dha vetë lajmin: “Gjuetia e thesarit mbaroi. Sënduku është gjetur pikërisht në vendin ku fsheha 10 vjet më parë”.
Një histori e jashtëzakonshme, që ka përfshirë rreth 350 mijë persona të cilët kanë kërkuar në malin ku ishin fshehur.
“Nuk e di kush e gjeti thesarin, por e di se te vendi i duhur e çoi poezia që përfshihej në librin tim”.
Mes vargjeve të poezisë, pjesë e biografisë së tij “The Thrill of the Chase”, 89-vjeçari kishte fshehur sekretin e tij.










































