Pasi Kosova hoqi masat për udhëtarët, ditën e sotme pika kufitare e Morinës i është rikthyer normalitetit. Pala kosovare dhe ajo shqiptare operojnë vetëm me kontrollin e dokumenteve të identifikimit. Fluksi i lartë i qytetarëve ka bërë që të krijohen radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit.
Në pikën kufitare ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, kryeinspektorja shëndetësore, Nora Krasniqi dhe kryeinspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, Ibrahim Tërshnajku.
Ndërkohë në një mesazh drejtuar të gjithë udhëtarëve, ministri Zemaj kërkoi respektimin e masave të vendosura nga autoritetet e Kosovës.
“Do t’i kisha lutur të gjitha atyre që hyjnë në Kosovë dhe juve të përçoni mesazhin për respektimin e masave të vendosura nga qeveria e Kosovës”, u shpreh Zemaj.












































