Ndryshon qëndrimi i palës kosovare. Në pikën kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë, po lejohen hyrja e qytetarëve. Atyre u janë bërë vetëm kontrollet mjekësore dhe nuk u kërkohet asnjë dokument apo procedure tjetër.
Ndonëse në vendimin e Qeverisë Kurti u saktësua që qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë, duhet të posedojnë rezultate negative për testin Covid-19, jo më i vjetër se katër ditë, një gjë e tillë nuk u pa që është duke u zbatuar në pikën kufitare në Vërmicë.
“KosovaPress” vëzhgoi një ditë pune në këtë pikë kufitare, ku nuk vërehej fluks i madh i automjeteve as në hyrje por as në dalje të Kosovës.
Shtetasit që hynin në Kosovë pas kthimit nga Shqipëria thanë se në kufi nuk u është kërkuar ndonjë dokument apo formular i veçantë që tregon për gjendjen e tyre shëndetësore, por se kanë kryer vetëm kontrollet mjekësore.
Vendimi për mbylljen e kufijve ishte vendosur nga autoritetet e Kosovës më 13 mars të këtij viti në kuadër të shumë masave parandaluese të mundësisë së përhapjes së COVID-19.
Kufijtë tokësor në Kosovë janë hapur që nga 1 qershori./KP/











































