Disa detaje të reja janë zbardhur nga atentati mbrëmjen e djeshme në ambientin e jashtëm të një hoteli në aksin rrugor Laç-Mamurras afër kryqëzimit të fshatit Gjormë, ku një person qëlloi me armë zjarri duke lënë të vdekur në vend Bujar Likën (Hasani) 37-vjeç, ndërsa të plagosur mbetën Paulin Gjergji 53 vjeç dhe Kreshnik Tusha 21 vjeç.
Por kush është e shkuara e viktimës?
37-vjeçari rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2016 është dënuar nga gjykata me 1 vit burg si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikajt në Dajt në vitin 2015. Viktima që njihej me dy mbiemra, Lika dhe Hasani është mik i ngushtë i Ervis Martinajt, gjithashtu emër i njohur pas ngjarjes në 2018 në Bllok.
Pranë trupit të viktimës mbrëmjen e djeshme është gjetur një armë, që nuk dihet nëse është përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Dyshohet se mes të plagosurve ndodhet dhe autori i ngjarjes, por është ende e paqartë se cili prej të plagosurve është ai. Vijon hetimi i ngjarjes nën drejtimin e prokurorit.









































