Spanja është gati të kthejë futbollin në fushë, fillimisht pa tifozë, por dukshëm me dëshirë për ta mbyllur kampionatin në kuadratin e blertë. Madje për këtë ka dhe një vendim zyrtar, pasi është caktuar 11 qershori për rikthimin e garës. Kështu, La Liga ka tashmë një plan të qartë për rifillimin e kampionatit. Ka konfirmuar gjithçka presidenti i ligës spanjolle të futbollit Javier Tebas megjithatë që rinisja e sezonit të marrë formë zyrtare duhet konfirmimi i Ministrisë Spanjolle të Shëndetësisë. Plani i numrit 1 të ligës së futbollit Tebas është që edicioni 2019-2020 i La Ligas të rifillojë më 11 qershor dhe të përfundojë në datën 19 korrik. Një tur force prej 39 ditësh ku do të ketë ndeshje çdo ditë pa ndërprerje. Gjithçka do të rinisë ditën e enjte në datë 11 qershor me derbin e Andaluzisë ndërmjet Real Betis dhe Seviljes. Po në datë 11 do të luhen edhe minutat e mbetura të ndeshjes së ndërprerë të La Liga 2 mes Rayo Valekanos dhe Albacetes. Në këtë mënyrë nga 11 qershori do të ketë ndeshje çdo ditë, sfida të cilat do të luhen në tre fasha oraresh 19:30, 21:30 ose 22:00, ndërsa në fundjavë do të shtohet edhe një orar i ri ai 17:30. Deri në fund të këtij sezoni janë për t’u luajtur edhe 11 raunde me Barcelonën që aktualisht kryeson kampionatin me 2 pikë avantazh ndaj Realit të Madridit. La Liga ka vendosur kështu datën e rifillimit dhe vetëm në rast të ndonjë ngjarjeje të jashtëzakonshme kampionati nuk do të rifillojë në datën 11 qershor ndërkohë që është përcaktuar edhe data e nisjes së sezonit të ri atij 2020-2021 që do të jetë 12 shtatori. Ndërkohë që në Spanjë po mendohet të ketë gara serioze pas 11 qershorit, në Austri federata e këtij vendi i heq titullin nga duart skuadrës kryesuese, Lask Linzit, pasi është stërvitur në fshehtësi në kohë izolimi. Raportohet se stërvitja gjatë izolimit i ka kushtuar shtrenjtë klubit austriak të futbollit, LASK Linz. Një komision i Bundesligës së Austrisë e ka dënuar të enjten LASK-un me marrjen e gjashtë pikëve dhe me gjobë prej 75 mijë eurove. Vendimi është arsyetuar me thyerje të rregullave bazike të fair-play”-it. LASK-u javë më parë nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes për mënyrën e stërvitjes. Pas vendimit, LASK-u do të bie nga pozita e parë në pozitën e dytë të Bundesligës austriake, pas Red Bull Salzburgut. LASK Linz menjëherë ka paralajmëruar se do të apelojë ndaj vendimit. Anëtar të Komisionit që morën vendimin kanë thënë se dënimi është në përputhje me shkeljen, duke ditur se LASK-u ka mbajtur të paktën katër seanca stërvitore në kundërshtim me marrëveshjen e klubeve të Bundesligës. LASK-u ka mbajtur stërvitje me gjithë ekipin në kohën kur ishin të lejuar stërvitjet vetëm në grupe të vogla dhe pa kontakt fizik. Shkelja ishte vlerësuar si “ndërhyrje e rëndë ndaj familjes së futbollit”. LASK-u, që kishte kërkuar falje, ka të drejtë të ankesës në dy shkallë të ndryshme. Kjo e lë të hapur mundësinë që kampionati mos të dihet edhe shumë javë pasi që edicioni të përfundojë. Kampionati në Austri do të rifillojë më 2 qershor.