Qeveria ka ndryshuar ligjin për punonjësit në Shërbimin Informativ të Shtetit. Në draftin e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë evidentohet se janë bërë disa ndryshime në lidhje me procesin e rekrutimit të punonjësve si dhe masat që ndërmerren për ata të cilët kryejnë shërbime larg vendbanimit. Më konkretisht në vendim thuhet se për t’u bërë pjesë e SHISH çdo aplikant më parë duhet të kryejë një kurs përmes të cilit vendoset nëse ky i fundit do të jetë punëtor i SHISH apo jo. “Në Shërbimin Informativ të Shtetit organizohet kursi bazë për formimin profesional të punonjësve. Shtetasi, i cili pranohet në Shërbimin Informativ të Shtetit për t’u trajnuar në kursin bazë, ndërpret marrëdhëniet me Shërbimin, nëse gjatë periudhës së trajnimit vlerësohet se nuk ka aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave. Marrëdhëniet ndërpriten me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas propozimit të drejtorit të njësisë përgjegjëse për zhvillimin e kursit bazë apo të njësisë së ngarkuar me shqyrtimin e rastit”, thuhet në vendim. Ndërsa shtohet se, kursanti që nuk paraqitet në detyrë pas emërimit dhe bën kërkesë për lirim nga shërbimi pa shkaqe të justifikuara, brenda periudhës së provës, paguan të plota pagën dhe shpenzimet e bëra për trajnimin e tij. Më tej në vendim përcaktohen benefitet që do të përfitojë çdo punonjës i SHISH, i cili transferohet jashtë vendit ku banon. Konkretisht këta punonjës do të kenë të garantuar akomodimin si dhe rimbursim të të gjitha shpenzimeve vetjake apo edhe familjare. “Punonjësi, i cili transferohet jashtë vendbanimit, përfiton: rimbursimin e plotë të shpenzimeve të transferimit të tij dhe/ose të familjes; kompensimin për qira banese të akomodimit të tij dhe/ose të familjes, kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e ri të punës; kompensimin për udhëtim. Emërimi jashtë vendbanimit do të konsiderohet transferim, për efekt të kësaj pike. Masa dhe mënyrat e kompensimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, theksohet në ligj.





































