Avokati Spartak Ngjela e lidh bllokimin e procesit të Vetting-ut të gjyqtarëve e prokurorëve gjatë këtyre dy muajve me largimin e anëtarëve të ONM-së në vendet e tyre për shkak të Pandemisë. Sipas Ngjelës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është faktori i vërtetë që mban në lëvizje Vetting-un, dhe çdo vendim i Komisioneve shqiptare është i kushtëzuar nga verifikimi i anëtarëve të tij.
Ngjela i komenton shkarkimet e shumta të gjyqtarëve e prokurorëve si një sukses i Vetting-t, dhe si e vetmja mënyrë për të pasur një gjyqësor të pavarur e të pakorruptuar.
“Reforma ka ngecur në funksion të gjyqtarëve dhe prokurorëve por është rrjedhojë e pandemisë ,se ONM nuk ka qenë këtu. Pse këtu do rrinin ata të kalonin rrezikun e vdekjes. ONM është e gjitha me të huaj, nuk ka asnjë shqiptar as edhe një amerikan por e ka të gjithën BE-ja. Se drejtësinë këtu e ka BE-ja. Nuk mund të futemi në BE nëse e kemi drejtësinë në këtë formë. Politika amerikane po drejton reformën që ne me atë reformë do të hyjmë në Bashkimin Europian”, tha Spartak Ngjela për SCAN.