Vendet e para me të cilat Mali i Zi do t’i rihapë kufijtë në fillim të qershorit, janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia, tha të hënën kryeministri malazez, Dushko Markoviç.
Mali i Zi, si edhe shumica e vendeve në Evropë, i ka mbyllur kufijtë në mes të muajit mars, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Markoviç tha se shtetet e përmendura më lart i plotësojnë kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar për 100.000 banorë.
“Së paku edhe dy shtete të rajonit i plotësojnë kushtet, por situata ndryshon nga dita në ditë. Ka mundësi që t’i hapim kufijtë edhe me disa shtete të rajonit, por varet se si do të jetë situata kur urdhri të hyjë në fuqi”, tha Markoviç.
Të huajve që do të hyjnë në Mal të Zi, nuk do t’iu kërkohet testim i posaçëm, porse do t’iu jepen udhëzime të qarta që duhet t’i ndjekin gjatë qëndrimit në vend.
Mali i Zi, qysh të dielën, pas 68 ditësh nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus, nuk ka asnjë person të sëmurë me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Qysh më 5 maj, ky vend nuk ka regjistruar asnjë rast të ri të infektimit. REL











































