Deputetja Rudina Hajdari thotë se babai i saj, pishtari i demokracisë Azem Hajdari ishte idealist dhe s’krahasohet me asnjë nga politikanët e sotëm.
“Babai im ka pasur idele shumë të larta. Ka qenë idealist. S’ka lidhje me asnjë nga personat sot në politikë. Ai ishte njeri idealist, guximtar dhe luftoi fort. Erdha nga Amerika se besoj te idealet e babait tim, e dua fort këtë vend dhe dua të hedh themelet, që të rivendoset fjala e lirë. Qoftë në Parlament, qoftë te studentet, te teatri, te qytetarët”, tha Hajdari në emisionin Opinion.
Ndërkohë, duke folur për debatin aktual për Reformën Zgjedhore, Hajdari tha se afati për përmbylljen e saj ëhstë deri në 31 maj.
“Reforma zgjedhore ka afat deri në 31 maj. Por kemi patur një deklaratë të komisionerit të BE për Shqipërinë, që thotë raporti shtyhet deri në shtator. Kjo i jep kohë Shqipërisë për të përmbushur kushtet për negociatat.
Por unë them s’kemi nevojë për data për për marrëveshje me të gjitha palët”, u shpreh deputetja Rudina Hajdari.
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për raportet që aktualisht ka me Partinë Demokratike, Hajdari u shpreh: “Unë kam raport me çdo njeri që do të ndryshojë sistemin zgjedhor. E dëgjova sot zotin Basha që tha jam pro listave të hapura. Dhe e ftoj të vijë në tryezë të luftojmë bashkarisht për ndryshimin e sistemit dhe listat e hapura, sepse i shërben demokracië. Dhe një forcë politike si PD, e djathtë, e para që ka vendosur demokracinë në këtë vend, duhet të jetë pro ndryshimit të sistemit. Dhe besoj që me kalimin e kohës do e kuptojnë. Kam qenë në atë këshill dhe në momentin që flitet për ndryshimin e sistemit, palët ulin sytë dhe nuk flasin fare. Bien dakord me njëri tjetrin”, u shpreh Hajdari.
Megjithatë më herët, teksa foli për përfshirjen e saj në politikë Hajdari tha: “Beteja ime për t’u futur në politikë ka qenë dëshirë, që kur isha 20 vjeç. Ishte çështje moshe dhe mendova se ishte momenti i duhur. Nuk e mendova kurrë që një kryetar partie ka këtë lloj imponimi ndaj deputetëve dhe i quan tradhtarë”.


































