Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Rama e quajti kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi “Ledi Makbeth”, ndërsa kryetarin e opozitës Lulzim Basha “Hamlet”.
Rama tha se paratë për të cilat flet Kryemadhi janë ato që kërkon të marrë për vete, teksa përmendi nisjen e ndërtimit të godinës së TK tek Piramida ku tha se janë hedhur 6 milionë euro, dhe janë marrë pllakat e mermerit dhe janë vënë tek shtëpitë e tyre në plazh.
“Teatri tek Piramida. Për të cilin nuk u harxhuan miliona imagjinare eurosh. Si ato që Ledi Makbeth sheh në filxhanin e saj. Dikur i shihte për veten, tani i sheh për të tjerët nga sëkëlldia që të tjerët ia kanë marrë dhe kur të vijë ajo me Hamletin, nuk do të ketë mbetur më asgjë. 6 milionë euro ikën pa zhurmë, sepse bijtë e Shekspirit dhe bijtë e kurtizaneve franceze kishin punë të tjera, nuk u morën me teatrin. U vunë ca shkallë dhe u zhvesh piramida. Të gjitha pllakat e mermerit u morën dhe u vunë në shtëpitë e dyta buzë brigjeve të ngrohta të Adriatikut, apo u vunë për tualetet e reja të artistëve. Lapidarët që “Cimit i preu rrugën pabesia”. Të huajtë kujtonin se ne buzë rrugëve kishim bërë luftë, por aty qe vrarë Xoni nga ca shokë që qe prerë në besë. E pra ky është një moment fantastik për të përsëritur Shekspirin. Budallallëku dhe mençuria janë sëmundje ngjitëse ndaj zgjidh njerëzit që dëgjon o njeri. Mos dëgjo llafet që thuhen për ta, por pyet veten çfarë kanë bërë ata?”, tha kryeministri Rama.