Vijon “bojkoti” ndaj Metës/ Ambasadorja e SHBA e anashkalon gjatë takimeve për situatën

0
404

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasada e BE në vendin tonë i kanë dhënë një tjetër shuplakë presidentit Ilir Meta. Prishja e teatrit ka ndezur edhe një herë akuzat politike, ku presidenti e opozita janë hedhur në sulm ndaj qeverisë. Kjo gjë ka alarmuar ndërkombëtarët të cilët janë vënë në lëvizje. Dje ambasadorja e SHBA ishte për gati një orë në zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe përmes një njoftimi bëri me dije se do të takohet dhe me liderin e opozitës Lulzim Basha. Nga ana tjetër, kreu demokrat priti dje në seli kreun e delegacionit të BE, Luigi Soreca dhe disa ambasadorë të vendeve të BE, si ai i Gjermanisë, apo vendeve të tjera. Ajo që ra në sy është se të hënën takime me ambasadorët pati dhe presidenti Ilir Meta. Zyra e tij e shtypit nxitoi të njoftonte se në Pallatin e Brigadave po zhvillohej një drekë me ambasadorët e vendeve të BE për të diskutuar mbi situatën. Por nuk ishte kështu. Kreu i shtetit në takim ishte vetëm me ambasadorët e vendeve të Vishegradit dhe ajo që ra në sy ishte fakti se mungonte ambasadori Soreca. Ndërkohë shuplaka më e fortë ka ardhur nga ambasadorja e SHBA. Ajo dje takoi Ramën dhe njoftoi se do takojë Bashën, ndërkohë nuk ka pasur dhe nuk ka lajmëruar se do të ketë një takim me presidentin. Takimi i fundit i ambasadores me Metën është që më 23 mars dhe nuk i ka shkuar më në zyrë, ndërkohë me Ramën janë zhvilluar 3-4 takime. Përveç atij dje, pati takim dhe javën që lamë pas. Pra edhe pse presidenti bëri padi në Gjykatën Kushtetuese për teatrin dhe u angazhua në këtë debat, duket se ndërkombëtarët e kanë anashkaluar. SHBA po tregon dhe një herë se protagonistët janë Rama-Basha dhe jo presidenti. Fakti që ambasadorja nuk i ka shkuar presidentit prej më shumë se 2 muajsh në zyrë dhe ndërkohë ka takime me Ramën e Bashën është sinjal mjaft i fortë.

Skenarët destabilizues

Teksa ndërkombëtarët i kanë dhënë shuplakë presidentit, duket se po bëhet një luftë e fortë në prapaskenë. Presidenti qëndroi në hije në ditë e para, por dy ditët e fundit po reagon fort kundër qeverisë duke mos ndalur sulmet dhe akuzat. “I dashur Profesor Bundo, ndaj me ju të njëjtat shqetësime dhe kam bindjen e plotë se shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, nuk ishte thjesht dhe vetëm një akt cubash, antikushtetues dhe i paligjshëm, por një akt i programuar shkombëtarizues”, tha Meta përmes një statusi në rrjetet sociale. Po ashtu ai shpërndau një shkrim të akademikut Emin Riza duke kërcënuar qeverinë. “U jam shumë mirënjohës të gjithë specialistëve dhe ekspertëve, si Akademiku Emin Riza, të cilët me profesionalizëm, përkushtim, por veçanërisht me dashurinë e pasionin e tyre për kulturën tonë kombëtare dhe trashëgiminë e pazëvendësueshme vazhdojnë të provojnë çdo ditë se shkatërrimi i Teatrit Kombëtar është një akt barbar dhe i programuar shkombëtarizues! Prandaj është i paamnistueshëm përgjithmonë”, vijoi ai. Por burime të gazetës bëjnë me dije se Meta e Berisha po luftojnë në prapaskenë që të rikthehen protestat masive dhe lufta me qeverinë. Demokratët kanë ngritur dyshime se LSI u largua nga teatri të dielën qëllimisht, në mënyrë që të shembej godina dhe të gjendej një sebep për nisjen e protestave. Berisha dy ditë më parë e tha hapur se tani është koha për mosbindje civile. Ndërkohë dhe LSI është në të njëjtën linjë, por po hasen pengesa nga Basha. Sipas burimeve, Berisha dhe LSI po ushtrojnë presion të fortë ndaj Bashës që të nisë protesta masive dhe të këmbëngulë te qeveria teknike, pasi ky shans nuk i vjen më në dorë. Edhe në takimet që pati Basha me strukturat dhe aleatët i është ushtruar presion që të zbresë te mosbindja civile. Sinjalin e ka dhënë dje Kryemadhi që partia e presidentit do mosbindje civile, me një reagim në rrjetet sociale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here